Futboll

Dëmtimi i Sane, Bajerni në sulm për kroatin Ivan Perisiç

Interi po pret një ofertë konkrete nga drejtuesit e Bajern Mynih, të cilët janë hedhur në sulm për kroatin Ivan Perisiç. Dëmtimi i Leroi Sane, i cili është i detyruar t’i nënshtrohet ndërhyrjes kirugjikale pas dëmtimi ndaj Liverpulit dhe mund të qëndrojë deri në 6 muaj jashtë, i ka detyruar bavarezët të kërkojnë alternativën më të mirë në treg për momentin.

Pas largimit të Raxha Naingolan për te Kaljari dhe në pritje për të zgjidhur çështjen e Ikardit, drejtuesit e Interit janë shumë pranë një tjetër marrëveshjeje me leverdi për ta. Bajerni është detyruar të heqë dorë nga blerja e Sane, pas dëmtimit të këtij të fundit dhe ka vënë në shënjestër Ivan Perisiç. Kroati është një lojtar me përvojë dhe që e njeh mirë Bundesligën, pasi ka lajtur më parë me Volfsburgun. Largimet e Roben dhe Riberi, si dhe dëmtimi i Koman, kanë lënë një boshllëk të madh te Bajerni, që duhet mbushur.

Sulmuesi anësor i Interit mund të kalojë në formë huazimi te Bajerni, me të drejtë blerjeje në fund të sezonit. Një formulë, që duket se i shkon për shtat Interit në këtë moment, sepse mund të sistemonte një futbollist, të cilin trajneri Antonio Konte e ka nxjerrë jashtë projektit. Pritet oferta zyrtare e klubit të madh gjerman dhe gjasat janë që Perisiç të kthehet në Bundesligë, duke i hequr një barrë klubit zikaltër, në delir pas marrjes së sulmuesit Lukaku.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë