Kombetarja

Dëmtimet e shumta në Kombëtare, një shans për Hykën?

Trajneri i Kombëtares, Kristian Panuçi, do të shpallë pas pak ditësh listën e lojtarëve të grumbulluar për dy ndeshjet e Ligës së Kombeve me Izraelin dhe Skocinë. Italiani është duke vlerësuar mirë gjendjen e çdo lojtari, pasi kohët e fundit ka pasur probleme për kuqezinjtë, për dëmtimet e shumta, aktivizimin e paktë me klubet dhe disa të tjerë që janë ende pa ekip. I ndikuar nga kjo situatë, trajneri Panuçi ka vendosur të rikthejë veteranin Ansi Agolli, edhe pse nuk është konfirmuar zyrtarisht kjo lëvizje. Krahu i majtë i mbrojtjes mbetet ende një problem i pazgjidhur, pasi asnjë nga eksperimentet e deritanishme nuk ka bindur, ndaj dhe është thirrur sërish “nën armë” Agolli.

Por mund të kemi edhe ndonjë rikthim tjetër në radhët e kuqezinjve, sërish i diktuar nga situata. Jahmir Hyka gëzon një formë shumë të mirë dhe ka shënuar në ndeshjen e fundit të kampionatit amerikan për skuadrën e tij, San Jose. Dëmtimi i Odise Roshit, i cili kërkon një kohë të gjatë për rikuperimin, si dhe mungesa e gjatë e Eros Grezdës në fushat e blerta, po për shkak dëmtimi, mund ta detyrojë trajnerin e Kombëtares të grumbullojë sërish Hykën, që luan si sulmues anësor dhe pas sulmuesve. Hyka ka luajtur për herë të fundit me kuqezinjtë në ndeshjen me Maqedoninë shtatorin e vitit të kaluar, në eliminatoret e “Rusi 2018”. Më pas nuk është grumbulluar.

https://twitter.com/SJEarthquakes/status/1033540351452008448
Goli i Jahmir Hykës në kampionatin amerikan në ndeshjen San Jose-Vankuver

Pas aventurave në Norvegji, Greqi, Gjermani dhe Zvicër, Jahmir Hyka ka kaluar në kampionatin amerikan. Aktivizohet rregullisht me San Hoze dhe ka shënuar tre gola në këtë sezon, të fundit ndaj Vankuverit dy ditë më parë. Hyka është 30 vjeç dhe mund të mbulojë disa role në mesfushë dhe sulm, ndaj mund t’i shërbente trajnerit të kuqezinjve në këtë moment delikat. Veç Hykës, është edhe Elis Bakaj, i cili po tregon një formë shumë të mirë në Bjellorusi me Shakhtar Soligorsk dhe që mund të merret në konsideratë nga trajneri Panuçi. Ndoshta vendin e Roshit mund ta zërë Kristal Abazaj, i cili është pjesë e Anderlehtit në kampionatin belg, por ish-lojtari i Luftëtarit ka qëndruar në stol deri tani.

Një shqetësim i madh për trajnerin Panuçi në këtë moment është qendra e mbrojtjes, ku dy titullarët Mërgim Mavraj dhe Arlind Ajeti janë pa ekip dhe kuptohet që pa luajtur janë jashtë forme. Edhe Veseli nuk po luan tek Empoli, ndërsa Gjimshiti ka luajtur në disa ndeshje të fundit dhe mund të jetë alternativa e parë për qendrën e prapavijës. I sigurt në të djathtë të këtij reparti është Elseid Hysaj, ndërsa në të majtë rikthehet kapiteni Ansi Agolli. Për qendrën e mesfushës ka më shumë alternativa.

Jahmir Hyka gjatë një ndeshjeje me Kombëtaren

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë