Futboll

Dëmtim i rëndë në gju për Armando Brojën, largohet nga fusha me barelë

Gazeta Si – Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja, është dëmtuar rëndë sot gjatë një miqësoreje që Çelsi luajti ndaj Aston Vilës. Futbollisti kuqezi dëmtoi gjurin pas një kontakti me një lojtar kundërshtar dhe la fushën me barelë. Dukej qartë që ai mezi po përballonte dhimbjet në atë moment.

Duhen pritur ekzaminimet përkatëse për të mësuar me detaje se në çfarë shkalle është dëmtimi. Trajneri i Çelsit, Graham Poter, u shpreh pas ndeshjes se dëmtimi i Brojës është dukur serioz.

Broja ne momentin e demtimit. Gazeta Si, 11 dhjetor 2022

“Broja ishte pa fat në atë dëmtim që pësoi. Situata nuk duket pozitive për momentin, por ne shpresojmë që të mos jetë shumë i rëndë ai dëmtim i çuditshëm”, - tha trajneri i londinezëve.

Një dëmtim që vjen në një moment të rëndësishëm, pasi po afron merkatoja e dimrit dhe emri i sulmuesit kuqezi ka qenë gjithmonë në listat e klubeve të mëdha europiane. Tani duhet parë sa kohë do të zgjatë rikuperimi i lojtarit dhe nëse do të jetë nevoja për ndërhyrje kirurgjikale apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë