Futboll

Demollari: Event fantastik, frymëzim për gjithë fëmijët shqiptarë

Fatjon Rupi - Finalja e sotme e Ligës së Konferencës e ka vënë Tiranën në qendër të vëmendjes. Është eventi i parë sportiv i një rëndësie kaq të madhe që pret kryeqyteti shqiptar.

Për futbollistët e brezave të kaluar, organizimi i një finaleje europiane në Tiranë është një arritje e madhe.

Sulejman Demollari, një nga emrat më të shquar të futbollit shqiptar, ka vetëm vlerësime për finalen Roma-Fejnord dhe uron që gjithçka të shkojë mirë.

Sulejman Demollari nderohet nga Presienti Meta. Gazeta Si, 25 maj 2022

“Nuk ka diskutim që është diçka e madhe për futbollin shqiptar. Për sportin shqiptar në tërësi dhe Shqipërinë, sepse nuk përfiton vetëm futbolli. Ka edhe përfitime ekonomike”, - thekson Demollari për Gazeta Si.

Pastaj lojtari legjendar shton: “Është diçka e rrallë për Shqipërinë dhe Tiranën që prej disa ditësh është në qendër të futbollit në Europë, pse jo dhe në botë.

Futbolli i sjell këto gjëra, të jep një imazh më të mirë. Kuptohet, është një punë e madhe që është bërë vitet e fundit nga FSHF-ja në bashkëpunim me Europën. Organizimi i kësaj finaleje është diçka fantastike për të gjithë”.

Stadiumi 'Air Albania' pret sot finalen historike të Ligës së Konferencës. Gazeta Si, 25 maj 2022

Demollari më tej përqendrohet te stadiumi: “Është shumë i bukur. Përjeton një ndjesi të veçantë kur hyn në atë stadium. Emocionohesh… Ata që luajnë kanë një motiv më shumë për të dhënë më të mirën. Është një investim i madh, që i përgjigjet futbollit dhe organizimit të një finaleje si kjo që po organizohet”.

Në fund, Demollari shprehet se ky zhvillim i infrastrukturës sportive në vend është një frymëzim për gjithë fëmijët. “Teksa shohin stadiumin e ri dhe këtë event që po organizohet, gjithë fëmijët në Shqipëri mund të frymëzohen.

Gjithmonë duke parë gjëra të bukura mund të gjesh një motiv për të ardhmen. Kam parasysh këtu edhe stadiumin e Kukësit, që u përuruar pak kohë më parë. Fëmijët tani kanë kushte ideale për të ndjekur rrugën e bukur të futbolli”, - përfundon Demollari për Gazeta Si.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë