Irena Beqiraj

Demokracia e 3 Musketierëve


Demokracia në Shqipëri dje mbushi 32 vjeç.

Në 32 vjet histori janë vetëm 3 burra të fortë, 3 musketierë të cilët bashkohen, ndahen, ribashkohen për të përcaktuar fatet e këtij vendi.

Si është e mundur që një vend që rrëzoi një diktaturë tre dekada më parë të mbajë në pushtet 3 njerëz të fortë, ku të tre vazhdimisht sigurojnë publikun që nuk ka më kthim në diktaturë?

Demokracia shqiptare duket në krizën e moshës së mesme edhe pse 32 vjeç. Është filozofi David Runciman i cili përshkruan krizën e moshës së mesme të demokracisë, si një fazë në jetën politike të një vendi, ku demokracia është e lodhur dhe e rraskapitur, por jo në gjendjen e saj të fundit. Në këtë fazë ndryshimi mund të ndodhë edhe pse është vërtet i vështirë.

Njeriu është realisht në krizën e moshës së mesme kur në procesin e rivlerësimit të mundësive të humbura në jetën e tij ai gjendet para nevojës për ndryshime të forta edhe shpesh të sikletshme, të cilat kërkojnë prishje  të status quo-së. Në mungesë të optimizmit të rinisë, kaosi që sjell ndryshimi i status quo-së, na detyron "të pranojmë" rregullin e arritur edhe pse vuajmë brenda tij.

Mundësitë që vendi ynë humbi në 32 vitet e “rinisë së demokracisë” ishin mundësitë për drejtësi ekonomike dhe barazi politike,  si dhe mos formëzimi i ndjenjës së arritjes kolektive që demokracia funksionon për të gjithë.

Ne vërtet rrëzuam një diktaturë, por historia jonë tregoi që ne nuk arritëm t'i rezistojmë kthimit tek "një pakicë" e fuqishme ekonomike edhe politike burrash të fortë që drejtojnë.

Kriza në demokracinë tonë duket se ka lidhje pikërisht me ankthet e vjetra të ripaketuara si identitete të reja.

32 vjet më parë shqiptarët nuk kishin instinkt për përgjegjësi personale.  Mësimi kryesor që kemi marrë është pikërisht dëshmia se demokracia është çështje e sjelljes së shoqërisë, jo një proces, apo një "aplikacion" për t'u shkarkuar. 

Sundimi i ligjit është më shumë se ligjet dhe gjykatat, ai qëndron në kokat e qytetarëve. Duhet të mësohet, të përjetohet dhe të zbatohet me kalimin e kohës.

Forca e "tre musketierëve" tanë të pushtetit, e ka bazën pikërisht tek mënyra jonë e të menduarit, tek paaftësia jonë për të kuptuar, kërkuar e më pas për të ndërtuar institucione të forta.

Në këtë fazë ndryshimi mund të ndodhë edhe pse është vërtet i vështirë. Institucionet demokratike kanë nevojë për hapësirë ​​për t'u rritur, të izoluara nga ekstremistët, e çfarëdo lloji.

 Po ashtu është thelbësor edukimi i demokracisë, duke ushqyer koncepte të tilla si të drejtat dhe detyrimet e qytetarisë dhe nevojën për tolerancë ndaj bindjeve të tjera.

Në të kundërt ne do të jemi të dënuar të përjetojmë çdo 8 dhjetor rreshtat e fundit të "The Great Gatsby". Do të vozisim me barka kundër rrymës, për t’u rikthyer pa dëshirën tonë vazhdimisht tek e kaluara!


Copyright © Gazeta “Si”