Futboll

Del Piero: Shkëmbimi i fanellës është i shenjtë, nuk ka më respekt

Një episod absurd mori vëmendjen mbrëmjen e së shtunës, pas ndeshjes Milan-Lacio, që përfundoi me rezultatin 1-0. Sapo arbitri Roki vërshëlleu për mbylljen e ndeshjes, në fushë pati një zënkë mes lojtarëve, që u shua nga stafet e dy ekipeve. Në një moment, Bakajoko dhe Kesi, dy mesfushorët e Milanit, valvitën fanellën e Açerbit të Lacios si trofe të fituar (lojtari i Lacios e shkëmbeu me Bakajokon në shenjë paqeje). Një gjest i shëmtuar, që është kritikuar ashpër një ditë më pas dhe që vazhdon të diskutohet.

Së fundi për këtë temë ka folur edhe legjenda e Juventusit, Alesandro Del Piero. “Shkëmbimi i fanellës mes lojtarëve është një moment i shenjtë. Është si ajo që ndodh në dhomat e zhveshjes. Në rastin konkret ka mungesë të theksuar respekti. Ka të drejtë Gatuzo, duhet kërkuar falje dhe kaq. Nëse nuk do të kishte ndodhur ai episod me fanellën e Açerbit, sot do të flisnim për shkëmbimin e fanellës në vetvete dhe në rrjetet sociale do të komentohej si diçka shumë e bukur për fundin e një ndeshjeje të rëndësishme”, - ka thënë Del Piero për “Sky Sport”.

Aleks Del Piero, ish-kapiteni i Juventusit

Gabimin e ka kuptuar edhe vetë lojtari i Milanit, Bakajoko, i cili i ka telefonuar Açerbit dhe i ka kërkuar ndjesë, duke e konsideruar një veprim të nxituar në ato çaste. Megjithatë, Kesi dhe Bakajoko, dy mesfushorët e Milanit, mund të ndëshkohen nga Disiplina, sepse ai veprim është sjellje antisportive. Dy nga lojtarët e tjerë të Milanit, Bilia dhe Muzakio, tentuan t’i ndalonin dy afrikanët, por ishte tepër vonë, pasi gjithë situata u filmua dhe fotografua në ato momente.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë