Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi doli në një konferencë për mediat pak pasi selia blu i kishte dërguar Prokurorisë së Përgjithshme një kërkesë për të verifikuar figurën e një tjetër kryebashkiaku socialist.
PD thotë se ka dyshime të arsyeshme se Qerim Ismailaj, kryetar i Bashkisë së Mallakstrës dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit ka gënjyer në formularin e dekriminalizimit dhe kërkoi nga organi i akuzës që të verifikojë këto dyshime.
Bardhi tha në daljen për media se rasti i Ismailajt është një tjetër provë që provon bashkëqeverisjen e Edi Ramës me krimin.
“Mallakastra riprovon bashkëqeverisjen e Ramës me krimin në vend. Edi Ramës së Mallakastrës, çfarë i kujton 25 shkurti 2000? Sot nuk është koha për mashtrime, është koha për veprim nga prokuroria. Ligji të veprojë dhe Edi Rama të mos fshihet pas Qerim Ismailajt, Valdrin Pjetrit, Agim Kajmakut dhe Mark Babanit. Pse alternativa e tij (Edi Ramës) e vetme është krimi i organizuar, pse kandidon në bashkitë bastion të PD individë me të shkuar kriminale”, deklaroi Bardhi.
Sekretari i Përgjithshëm demokrat e interpretoi kërkesën për verifikimin e Qerim Ismailajt si test për Prokurorinë pas marrjes së saj në drejtim nga Olsian Çela. Deri më tani, sipas PD, organi i akuzës ka dështuar në punën e saj për të zbatuar ligjin për denoncimet e kryera nga opozita.
“Ajo që ka vërejtur PD gjatë kësaj kohe ka qenë një sorollatje e pajustifikuar e procedurave të verifikimit nga prokuroria, që ka dështuar që të zbatojë liegjet në mënyrë të plotë. Për asnjë nga rastet nuk rezulton të jetë zbatuar ligji antimafia dhe kriminelët që Rama tentoi t’i fuste në politikë sot gëzojnë të paprekur pasurinë e vënë nga veprimtaria kriminale”, u shpreh Bardhi.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.