Politike

Dekriminalizimi / KQZ dërgon për hetim të thelluar kryebashiakun socialist të Libohovës, Leondard Hide

Gazeta Si - Komisioni Qendor i Zgjedhjeve do të kërkojë nga Prokuroria e Përgjithshme verifikim të thelluar për kryetarin e Bashkisë Libohovë, Leonard Hide.

Kryebashkiaku socialist dyshohet se nuk ka kryer deklarim të saktë në formularin e vetëdeklarimit në kuadër të ligjit për dekriminalizimit.

Sipas KQZ, për Hiden është kërkuar informacion nga zyra e gjendjes gjyqësore, pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve dhe rezulton se kandidati në fjalë nuk është i dënuar me vendim penal të formës së prerë.

Pavarësisht këtyre të dhënave, Partia Demokratike ka informuar KQZ-në se Leonard Hide është hetuar nga SPAK dhe dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme.

Referuar këtyre të dhënave, kryekomisioneri Ilirjan Celibashi çmoi se është e nevojshme marrja e informacioneve shtesë në lidhje me faktet dhe rrethanat e parashtruara dhe dosja e tij do të përcillet pranë Prokurorisë së Përgjithshme për hetime më të thelluara.

Më 18 mars, Prokuroria e Posaçme mori të pandehur Leonard Hiden, pasi sipas dosjes, në kohën që ka mbajtur postin e shefit të policisë, Hide ka pasur detyrimin ligjor për zbulimin e aktivitetit kriminal, por ka dyshime se kundrejt shpërblimeve si dhe nëpërmjet veprimeve dhe mosveprimeve të tij, ai e ka lejuar këtë aktivitet të jashtëligjshëm.

Vetë Hide ka deklaruar se është gati që të japë dorëheqjen si drejtues i Bashkisë së Libohovës për t’u përballur me drejtësinë.

Mësohet se përveç Hidës, në dosjen që ka marrë në dorëzim SPAK janë marrë të pandehur edhe persona të tjerë. Pasi doli nga ambientet e SPAK ai tha se nëse do të jetë e nevojshme për hetimin që të lërë detyrën, do ta bëjë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë