Kosova

Deklarata e Hill, Serwer: SHBA të mbështesë miqtë në Ballkan dhe jo Serbinë

Nga Gazeta 'Si'- Profesori i njohur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës Daniel Serwer ka reaguar pas deklaratës të ambasadorit amerikan në Beograd, Christopher Hill, i cili ka thënë se aktualisht Serbia është më afër NATO-s se Kosova.

Serweri ka bërë thirrje për një qasje më të qartë nga SHBA-ja në mbështetje të aleatëve të saj në Ballkan, në kontekstin e një lidhjeje të pandryshuar të Serbisë me Rusinë.

“Ambasadori amerikan vlerëson bashkëpunimin ndërmjet SHBA-së dhe forcave serbe, edhe pse presidenti serb ka deklaruar qartazi ambiciet e tij për aneksimin e mundshëm të Kosovës. Si mund të rekoncilohen këto qëndrime? Nuk është e ndërlikuar. Serbia e shfrytëzon bashkëpunimin për të përfituar nga stërvitjet dhe të mësuarit e inteligjencës, që më pas mund t’i përdorë kundër interesave të NATO-s në rajon, dhe me siguri ia raporton gjetjet Moskës”, tha ai.

Ai pohoi se Shtetet e Bashkuara duhet të rishikojnë qasjen e saj ndaj Serbisë dhe të sfidojë aspiratat e saj, si dhe të atyre ruse, për ekspansion etno-territorial.

“Është koha të ndalemi nga mbështetja e Beogradit që ka treguar vazhdimisht se është i lidhur me Rusinë. Vuçiçi ka treguar që nuk do të hezitojë të veprojë kundër Kosovës në momentin që i përshtatet”, thekson Serweri.

Profesori amerikan sugjeroi disa hapa konkret që SHBA-ja duhet të marrë, duke filluar nga theksimi i nevojës për drejtësi në rastin e incidenteve të sponsorizuara nga Beogradi në territorin e Kosovës, mbështetja e Prishtinës në objektivat e saj ndërkombëtare, dhe një qëndrim i fortë kundër manipulimeve të mundshme në zgjedhjet serbe.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë