Kombetarja

Dedikimi special i Dakut: Goli për familjen dhe dëshmorët që dhanë jetën në luftë

Gazeta Si – Mirlind Daku as në ëndrrat më të bukura nuk do ta kishte parë ndoshta atë gol që shënoi ndaj Polonisë në ‘Air Albania’, golin që preu shpresat e kundërshtarit për pikë në Tiranë. Me prekjen e dytë të topit ai ndëshkoi Sheznin dhe lumturoi me mijëra shqiptarë.

Pas ndeshjes sulmuesi që luan për Rubinin në Rusi u shpreh: “Faleminderit Zotit që më shpërbleu punën dhe fituam. Golin ia dedikoj familjes sime dhe dëshmorëve, të cilët kanë dhënë jetën në luftën e Kosovës. Falënderoj edhe presidentin e FSHF-së për mbështetjen”.

Për Dakun ishte ndeshja e dytë me fanellën kuqezi. Ai debutoi në pjesën e dytë të transfertës së Pragës, ndërsa sot u bë protagonist absolut me atë gol me shumë peshë.

Teksa festonte golin me fanellën e hequr, në shpinën e sulmuesit ra në sy një tatuazh i madh, ku shkruhej ‘Katana’ në një piramidë të rrëzuar dhe një këmbë mbi të. ‘Katana’ është pseudonimi i Heroit të Luftës në Kosovë, Agim Ramadani, një nga komandantët e shquar të UÇK-së. Nuk dihet, nëse Daku ka lidhje familjare me heroin apo jo.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë