Kombetarja

Debutuesit Broja e Çekiçi hedhin “dorashkën”: Duam minuta!

Armando Broja dhe Endri Çekiçi ishin dy lojtarët e përzgjedhur nga stafi i Kombëtares për të folur në konferencë shtypi. Janë të dy debutuese me Kombëtaren A dhe sigurisht që janë të emocionuar për ftesën e trajnerit Edi Reja.

Broja, që nuk luan me Bjellorusinë, pasi ka një karton të kuq të mbartur nga Shpresat, pret të jetë në fushë ndaj Lituanisë. Sulmuesi i Çelsit, i huazuar për një vit në Holandë te Viteshe, konsiderohet si një nga lojtarët e të ardhmes kuqezi. Gjatë konferencës pr shtyp ai u shpreh: “Lëvizja në Holandë u bë, sepse është mirë për mua të luaj. Jam 18 vjeç dhe më duhen minuta, pastaj Holanda ka një format të mirë. Stërvitja po shkon shumë mirë dhe pas një viti mbase kthehem te Çelsi për të luajtur në Premier Ligë.

Broja feston një gol me Kombëtaren U-21. Gazeta Si, 1 shtator 2020

Kam emocione të mëdha që jam grumbulluar me Kombëtaren, jam shumë i kënaqur. Te Kombëtaret U-19 dhe U-21 luajnë fort dhe shpejt, kështu kam qejf të luaj edhe te Kombëtarja A. Nuk është mirë që nuk luaj me Bjellorusinë nga ai karton i kuq, por jam me ekipin, me djem të mirë. Mbase aktivizohem në takimin e dytë me Lituaninë disa minuta. Edhe nëse nuk aktivizohem, do jem në stol. Më duhet të mësoj dhe kjo është një eksperiencë e mirë. Kështu e fillojnë të gjithë, luajnë fillimisht 10, 20 minuta në një ndeshje. Prapë kam kënaqësi të jem me ekipin e parë, pastaj e di trajneri kush luan.

Sulmuesit e tjerë të ekipit janë të mirë, ata kanë bërë shumë për Shqipërinë. Janë djem të mirë dhe lojtarë të mirë. Unë jam një sulmues ndryshe nga ata, më i shpejtë, mund t’u iki mbrapa mbrojtësve dhe mund t’i dribloj. Ata kanë bërë më shumë se unë, kanë respektin e të gjithëve. Unë duhet t’i tregoj trajnerit se duhet të jem në Kombëtare. Në Holandë dua të shënoj sa më shumë, ndoshta pastaj kthehem te Çelsi dhe luaj me këtë skuadër”.

Kombëtarja në stërvitje. Gazeta Si, 1 shtator 2020

Çekiçi: E prisja ftesën kuqezi

Edhe Endri Çekiçi, i aktivizuar për shumë vite me Shpresat, është entuziast për ftesën kuqezi. Ai pohon se e priste këtë ftesë dhe kurrë nuk e kishte humbur besimin: “Kisha vite që e prisja ftesën dhe tani ëndrra u kthye në realitet. Tani duhet të kem ëndrra të tjera, duhet ta tregoj pse jam këtu. Mbase trajneri mund të mbështetet tek unë dhe jam i lumtur që jam këtu. Në fillim isha te lista e pritjes, por nuk e humba besimin për asnjë moment. Vij nga një sezon i mirë dhe isha i bindur që në një moment do të vinte ftesa. Drejtuesit e Lubjanës më kanë dhënë mbështetje maksimale. Besoj se kam treguar potencialin tim dhe gjithçka ka të bëjë me psikologjinë.

Kur ishim te Shpresat bashkë me Baren, Manajn dhe Laçin, kishim një ekip të mirë, tani jemi në Kombëtaren A. Që në momentin kur jam pjesë e ekipit, mendoj të jap maksimumin në çdo ndeshje. Qëllimi kryesor është të luaj, pastaj do të vijë edhe goli,” - tha mes të tjerash sulmuesi pogradecar, që luan në kampionatin slloven me Olimpjan e Lubjanës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë