Futboll

Debutim shokues për Junajtid dhe ten Hag, fytyra e Ronaldos flet qartë

Gazeta Si – ‘Djajtë e kuq’ humbasin ndeshjen e parë të kampionatit në ‘Old Trafford’. Brajtoni fiton 1-2 dhe prish debutimin e ten Hag, ndërsa Kristiano Ronaldo e nis nga stoli.

Nga Brajtoni te Brajtoni. Nga pika më e ulët e erës ‘Rangnik’ (4-0) te humbja e parë e Erik ten Hag në stolin e Mançester Junajtid. Brajtoni mbetet ‘macja e zezë’ e Junajtid me një tjetër paraqitje të madhe në ‘Old Trafford’.

Ten Hag befason që në fillim, Ronaldo në stol dhe Eriksen 9 false. Një zgjedhje që funksionoi vetëm për pak minuta, me Junajtid agresiv në fillim, por të brishtë në mbrojtje.

Një gabim i Dalot i jep mundësinë Trosard t’i afrohet golit, pastaj Uellbek shfaqet rrezikshëm. Brajtoni godet në kundërsulm në minutën e 30-të me Gros, që shënon i pambuluar në zonë. Skuadra vendëse tronditet dhe pas 9 minutash pëson edhe të dytin, sërish me lojtarin gjerman.

Në pjesën e dytë ten Hag hedh në fushë Kristiano Ronaldon, që rizgjon ‘Old Trafford’-m. Rashford humb dy raste të mira, ndërsa në minutën e 68-të MekKalister shkakton një autogol.

Momenti kur Ronaldo futet në fushë. Gazeta Si, 7 gusht 2022

Junajtid sulmon fort në kërkim të barazimit, por topi nuk shkon në rrjetë dhe gjithçka mbyllet 1-2. Trajneri holandez debuton me humbje, siç ka ndodhur edhe me patriotin e tij van Gal. Tani kritikat do të fillojnë direkt për të. Fytyra e Kristiano Ronaldos në stol i thotë të gjitha.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë