Futboll

Debutim horror i Atalantës në Champions, Gjimshiti ngel në klasë

“Na bënë të vdekur, në çdo pikëpamje. Nuk na kishte ndodhur kurrë më parë të ishim në vështirësi kaq të madhe”. Ky është sinqeriteti i trajnerit të Atalantës, Gasperinit, pas humbjes 4-0 në Zagreb ndaj Dinamos. Një humbje e thellë, që nuk lë asnjë dyshim për mënyrën si shkoi loja. Ndeshjen e ardhshme Atalanta e ka në “San Siro” ndaj Shakhtar Donetsk dhe nëse nuk fiton, e ka të pamundur ta kalojë grupin.

Atalanta vuajti emocionet e debutimit në Champions dhe pika më e dobët e saj ishte mbrojtja. Berat Gjimshiti, si në kampionat, ishte titullar edhe në Champions. I vetmi kuqezi që luajti në xhiron e parë të ndeshjeve në grup për kompeticionin më prestigjioz të klubeve, pasi Hysaj ishte i dëmtuar. Por paraqitja e qendërmbrojtësit ishte nga më të dobëtat, ashtu si e gjithë repartit të prapavijës në fakt. Gjimshiti gaboi në rastin e golit të parë të kroatëve, kur humbi nga sytë sulmuesin Leovac. Ai është vlerësuar me notën 4 dhe më tepër se për lojën, është kritikuar për mënyrën si mori kartonin e verdhë, si një fillestar, sipas shtypit sportiv italian. Një ndeshje për t’u harruar për futbollistin e Kombëtares shqiptare.

Gjimshiti gjatë ndeshjes ndaj Dinamos së Zagrebit, në sfond festa e kroatëve. Gazeta Si, 19 shtator 2019

Atalanta nuk shfaqi asgjë nga vlerat e saj në stadiumin “Maksimir”. Skuadra bergamaske i bëri të gjithë për vete me futbollin e saj gjatë sezonit të fundit, por me Championsin, të paktën me atë që u pa në ndeshjen e parë, duket se nuk ka asnjë lidhje. Debutimi i Atalantës në kompeticionin më të rëndësishëm për klubet europiane ishte vërtet një horror.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë