Politike

Debati te Ligjet / Opozita: Ministria s’po e ndal fenomenin e tullumbaceve me azot. Zv.Ministrja: S’mbajmë përgjegjësi se nuk del nga spitali

Nga Gazeta 'Si'-Në Komisionin e Ligjeve deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin e përdorimit të tullumbaceve me azot nga të rinjtë shqiptarë.

Deputetja e PD Dhurata Çupi tha se Komisioni po lë mënjanë çështjen e rëndësishme që po shqetëson familjet shqiptare, atë të përdorimit të tullumbaceve me azot nga të rinjtë.

Çupi tha se Ministria e Shëndetësisë nuk po e ndal dot fenomenin, ndërsa në përgjigje të saj, zv.ministrja Entela Ramosaçaj shpjegoi se Ministria mban përgjegjësi vetëm për atë që përdoret në spital dhe ajo që shitet nëpër kioska, nuk del nga spitali. Ajo tha se vendi ynë do duhet të përditësojë listën sipas konventave ndërkombëtare.

“Unë prita të dëgjoja atë që shqetëson opinionin publik. Të gjithë ata që kanë fëmijë e adoleshentë kanë një shqetësim që do donin ta dëgjonin sot për tullumbacet me azot që qarkullojnë në ambientet publike me efekte narkotike. Nga Ministria e Shëndetësisë nuk gjeta asnjë fjalë për këtë shqetësim të madh të qytetarëve. Ne po prisnim çfarë po bën Ministria e Shëndetësisë për tullumbacet me azot”, tha Çupi.

Ndërkohë Zv.Ministrja tha se substanca është peroksid azoti dhe ka formulën kimike N20. Kjo substancë nuk futet në asnjë nga lista e konventës për barnat narkotike dhe si i tillë nuk i nënshtrohet ligjit 88/74 për kontrollin e lëndëve që përdoren për lëndët narkotike.

“N20 mund t’i nënshtrohet ligjit për barnat dhe është produkt i cili është bar mjekësor dhe përdoret në spitale si narkozë, e kombinuar me diçka tjetër. Ai përdoret në spitale dhe prokurohet vetëm nga spitalet. Përdoret si narkozë dhe kundër dhimbjeve. Nuk klasifikohet në listën e barnave narkotikë”.

Çupi tha se mënyra si po trajtohet duket si paracetamol që e marrim në farmaci, ndërkohë që Zv.Ministrja tha se nuk është si paracetamol, është vetëm për përdorim spitalor, nuk mund të shitet në farmaci.

“Nuk rrjedh nga spitalet. Kioskat nuk e marrin nga spitalet. Protoksidi nuk ka vetëm qëllime mjekësore, ai përdoret dhe në industri ushqimore, makina etj. Jo vetëm bar mjekësor por edhe për qëllime të tjera. Ministria e Shëndetësisë e ka të lidhur vetëm për përdorim spitalor, nuk mund ti nënshtrohet ligjit të barnave narkotike se miratohet nga një bord ndërkombëtar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë