Politike

Debati për Ibrin, Rama: Serbia e humbi Kosovën, nuk duam Shqipëri të Madhe

Gazeta Si – Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj deklaratave më të fundit të presidentit serb, Aleksandër Vuçiç, i cili duke folur për mundësinë e bllokimit të rrjedhës së lumit Ibër që furnizon edhe Kosovën, tha se kjo është një çështje e brendshme që nuk ka lidhje me Shqipërinë.

Duke e nisur me theksin se Tirana zyrtare nuk dëshiron ndonjë “Shqipëri të Madhe”, Rama vijoi më tej duke shkruar se Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb.

Ndërsa përsa i takon lumit Ibër, Rama shkroi se Serbia nuk mundet ta ndryshojë rrjedhën sepse lumi ndjek rrjedhën gjeografike, jo bisedat diplomatike.

“Shqipëria nuk ka asnjë pretendim mbi territorin serb dhe nuk ka nevojë të shpikë ndonjë. As nuk na duhet një ‘Shqipëri e Madhe’ për të qëndruar pranë Kosovës. Kosova është shtet më vete. Shqiptarët e Kosovës janë pikërisht kaq: shqiptarë të Kosovës. Ata kanë Republikën e tyre, institucionet e tyre dhe të drejtën për të vendosur për të ardhmen e tyre. Ne gjithmonë do të qëndrojmë pranë kësaj të drejte”.

Kryeministri thotë gjithashtu se të drejtat, siguria, prona, gjuha dhe trashëgimia kulturore e komunitetit serb në Kosovë duhet të mbrohen, ndërsa thekson se Shqipëria dëshiron marrëdhënie të mira me Serbinë dhe një rajon të integruar në Bashkimin Europian, ku, sipas tij, duhet të përfshihet edhe Serbia.

“Serbia e humbi Kosovën. Përsëritja se nuk e humbi mund ta kthejë ndoshta humbjen në fitore në gjeografinë e imagjinatës politike, por fatkeqësisht hartat janë më pak të gatshme për kompromis. Territori i Republikës së Kosovës nuk është territor serb dhe burimet natyrore që gjenden brenda tij nuk janë burime të Republikës së Serbisë. Miqtë tanë serbë e dinë këtë shumë mirë, përfshirë sa herë ulemi bashkë rreth tavolinave evropiane”, – shkruan Rama ndër të tjera.

Ideja e Serbisë për të devijuar rrjedhën e lumit Ibër, i cili përshkron dhe Kosovën, çoi në një përplasje të fortë Tiranën dhe Beogradin. Ministri i Jashtëm Ferit Hoxha bëri thirrje një ditë më parë që Serbia të mos bëjë presion politik me ujin. Ndërkohë presidenti serb Aleksandar Vuçiç, tha se Shqipëria nuk ka punë me këtë çështje.

Ideja për ndryshimin e rrjedhës së Ibrit nuk është e re. Vuçiç e kishte përmendur edhe dy vite më parë, kur kishte mohuar përfshirjen e Serbisë në shpërthimin që dëmtoi kanalin Ibër-Lepenc në Varagë të Zubin-Potokut. Nga lumi Ibër varet furnizimi me ujë në një pjesë të madhe të Kosovës, si dhe prodhimi i energjisë elektrike.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë