Politike

Debati Kryemadhi-Meta, po na serviret si histori çimkash dhe servilësh

Debati Kryemadhi-Meta, po na serviret si histori çimkash dhe servilësh

Nga Gazeta Si - Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi të cilët, (nga ato që pohojnë), kanë marrëdhënie të ngrira si në politikë ashtu edhe në jetën private janë futur në një qerthull konspiracioni që në thelb lidhet me mungesën e besimit reciprok. Ata ishin të dy në Prime Time të enjten, njëri tek Çim Peka, tjetra te Blendi Fevizu.

Të dy ata folën për bashkëpunëtorë dhe ‘rrogëtarë’ që po i çojnë ata në drejtim të kundërt. “Zotin Meta unë e kam adhuruar dhe e adhuroj për politikën e tij. Dua t’u theksoj dy gjëra. Ai është një nga njerëzit më të drejtë që kam njohur në jetën time. Është shumë i sinqertë dhe nuk gënjen asnjëherë. Por ai ka një problem shumë të madh. Meta beson çdo gjë që i thotë çdo njeri. Ky është defekt i madh, sepse prandaj janë këto pasoja që jemi ne sot”, tha Monika Kryemadhi, e cila bashkëjeton me Ilir Metën më shumë se tre dekada, dhe bashkë kanë tre femijë tashmë të rritur.

Sipas saj, debati në Partinë e Lirisë ka nisur pas sulmit hakerues disa javë më parë të kompjuterave në selinë e partisë, një histori që Meta preferon ta trajtojë si çështje “çimkaxhinjsh”.

“Debati ka filluar me atë paçavuren e famshme të denoncimit që është firmosur nga z.Meta përsa i përket serverave. Debati është edhe për shumë gjëra të tjera që kanë të bëjnë sa i përket meritokracisë, angazhimit, funksionimit të strukturave, marrjes së përgjegjësisë. Unë nuk mendoj që një parti politike është thjesht like dhe share në Facebook. Struktura e një partie politike është kontakti fizik i drejtpërdrejt me njerëzit...”.

Sipas Kryemadhit debati e ka burimin nga stafi i ngushtë që ai ka importuar nga Presidenca në seli. Sipas saj, ajo nuk mund të thotë “po sheh” kur sheh diçka të gabuar

“Është gënjyer Ilir Meta. Sepse kur mbledh rreth vetes njerëz të cilët mendojnë që janë rrogëtarë, sepse një parti politike nuk mbahet me rrogëtarë dhe servilë sedentarë. Kur njerëzit të cilët e kanë mendjen bosh dhe nuk e mbushin dot kohën me aksion opozitar atëherë do të krijojnë armikun imagjinar.

Serverat e godinës së Partisë së Lirisë janë servera që çdo 1 javë fshihen dhe riformatohen. E dyta, ka luhatje tensioni. Në luhatjet e tensionit mund të ketë një moment kontakti 1 sekondë i cili është fikur dhe është ndezur përsëri. Ky është me thënë të drejtën problem njohurish. Kjo zgjidhet me IT.

Çfarë e ka gjetur Metën? Asgjë nuk kanë gjetur. Është një fantazi e krijuar nga një grup njerëzish të cilët nga rrogëtarë në Presidencë vijnë dhe bëhen rrogëtarë në Partinë e Lirisë. I kanë thënë që jemi përgjuar. Nuk i kanë thënë që është përgjuar Ilir Meta. Personat i kanë thënë Ilir Metës që jemi përgjuar ne. Por nuk është ky problemi i shqiptarëve. Do vijë Prokuroria, do ta shikojë, do i nxjerrë si budallenj ata që i kanë bërë”  tha Kryemadhi. Edhe gjuhën e përdoror nga Ilir Meta ndaj Altin Dumanit dy ditë më parë, Kryemadhi ia mveshi “stafit të dobët të këshilltarëve që ai ka”

E njëjta panoramë edhe nga Ilir Meta. I ftuar në Syri Tv, ai tha se Kryemadhi është nën ndikimin e disa kolegëve të saj në parti.

“Ka një çikë probleme të kthjelltësisë dhe intonacionit, por mesa duket Monika është nën ndikimin e disa kolegeve. Kam një pyetje për Elonën (Guri) tonë të dashur, kam një pyetje për Endritin (Braimllari) që e kishim lënë me organizimin e partisë. Si ka mundësi që Partia e Lirisë është target e krimit të organizuar dhe është lënë pa roje nate. Lëri mo ato justifikimet e Monës. Duke ndenjur me Lulin ajo ka shtuar justifikimet. Monën e kemi xhan, por më shumë duam nënë Selvinë.

Nuk e doni ju Monikën më shumë se unë. Problemet tona kanë lindur që kur janë djegur mandatet. Për këtë çështje unë kam pasur probleme me të gjithë. Mirë këtyre ua futi Luli, por si nuk më çuan një SMS. Ata më thanë se ne ishim burrë e grua. Ja pra nepotizmi që na ka sjellë probleme. Ne do të ndahemi nga nepotizmi”, tha Meta.

Kryemadhi deklaroi në anën tjetër se marrëdhëniet e saj me bashkëshortin, Ilir Meta janë të ngrira pikërisht për shkak të njerëzve të tretë që ai ka afër. “Raporti im bashkëshortor me Metën është një raport për momentin i ngrirë për shkak të konfliktit në parti. Brenda familjes tonë të vogël kanë ndërhyrë njerëz të cilët mendojnë se duke shkatërruar lidhjet familjare do të kenë karrierë politike. Nuk është hera e parë që unë dhe Meta kemi këto konflikte. Ne nuk kemi konflikte parimore apo morale mes njëri-tjetrit, janë konflikte politike. Ato reflektohen se jemi njerëz dy njerëz që punojmë nga mëngjesi deri në darkë me politikë, sigurisht që marrëdhënia është e përditshme dhe në familje. Ajo që mua më bën përshtypje dhe që e them gjithmonë është njeriu sa të rrojë do të mësojë. Mendjelehtësia më e madhe si te burrat dhe te gratë qëndron kur mendojnë që lumturinë e tyre dhe pushtetin e tyre mund ta ndërtojnë duke rrënuar lumturinë dhe familjen e dikujt tjetri”, tha Kryemadhi


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë