Gazeta Si – Mbledhja e Komisionit për Sigurinë Kombëtare në lidhje me sulmet kibernetike dhe ndërprerjen e shërbimeve digjitale në vend, është shoqëruar me debate të ashpra këtë të martë.
Deputeti i PD, Ferdinand Xhaferraj kërkoi që drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku të përgjigjet për vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.
“Nuk mund te bëjmë sikur s’ka ndodhur asgjë. Nuk mund të vijojmë në këtë formë. Ajo që ka ndodhur është shumë e rëndë”, tha Xhaferraj.
Kreu i Komisionit Nasip Naço kërkoi që deputetët të përqendroheshin te rendi i ditës, duke debatuar me Xhaferrajn.
Si përgjigje, drejtori i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku u shpreh se brenda 48 orëve do të japë përgjigje për Lear Kurtin.
“Jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve për të dhënë shpjegime për Kurtin. Së dyti edhe për çështjen Rasha, jap të gjitha shpjegimet e duhura. Do ju lutesha, që jo çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, janë të vërteta, reale dhe lidhen me hetimet e drejtësisë. Na respektoni mundin, djersën egjakun e organizatës që jep për republikën e Shqipërisë”, tha Rrumbullaku.
Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe deputeti Ervin Salianji, i cili tha: “Ne kemi denoncuar dhe denoncojmë përfshirjen e drejtuesve të lartë të shtetit në paligjshmëri, në moszbatim të ligjit dhe në përfshirjen e manipulimeve kriminale. Nuk I bën mirë policisë së shteti mbrojtja e paduhur. Distancohuni, punonjësit e policisë e ngrinin një qenie njerëzore sikur të ishte thes”, tha ndër të tjera Salianji.
Nga ana tjetër, deputeti i PS, Toni Gogu, iu drejtua kolegëve opozitarë të mbanin rendin e ditës, duke i thënë: “Po vazhduat kështu, do rrini edhe 10 vjet aty ku jeni”.
Ndërkohë, drejtori i policisë Rrumbullkau, e argumentoi mungesën në seancat dëgjimore të thirrura nga Komisioni për të raportuar lidhur me sulmin kibernetik, me vizitën e tij në SHBA.
Pas debateve për vdekjen e Lear Kurtit, seanca dëgjimore lidhur me sulmet kibernetike në Komisionin e Sigurisë, vijoi me dyer të mbyllura.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.