Shendet

Debate për ikjen e mjekëve/ Vokshi: Nuk dini sa janë larguar; Manastirliu: Kthehen çdo ditë e më shumë

Largimi i mjekëve dhe pagat e bluzave të bardha kanë nxehur sot debatin në Komisionin e Shëndetësisë. Deputetët e Partisë Demokratike kërkuan të dinin mbi ikjen sipas tyre masive të punonjësve të Shëndetësisë. Deputetja Oriola Pampuri tha se rritja 6% e pagës së mjekëve nuk është e mjaftueshme. “Kjo rritje është e papërfillshme. A ia bëjmë dot mjekëve 1500 euro rrogën?! Kur të kemi një rritje të konsiderueshme, hajdeni këtu dhe ju premtoj se do të keni edhe mbështetjen tona. Ju e dini sa e nevojshme është që të ketë sot qendra komunitare të shëndetit mendor. Edhe në këtë buxhet nuk shoh asnjë rresht që ta konsiderojë këtë prioritet,” tha Pampuri.

Në përgjigje të kësaj Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manstirliu shpjegoi se kanë marrë masa për të inkurajuar mjekët dhe për të minimizuar fenomenin e largimit të mjekëve nga vendi. Ministrja shpjegoi se çdo vit janë hapur vende për mjekët specializantë dhe që prej vitit 2018 kanë funksionuar platformat “Mjekë për Shqipërinë” ku janë punësuar 1200 mjekë dhe “Infermier për Shqipërinë” ku janë punësuar 4000 mjekë.
Lidhur me këtë gjë deputetja e partisë demokratike Albana Vokshi kërkoi të dijë nëse Ministria e Shëndetësisë ka statistika për mjekët që janë larguar.
“Sa mjekë janë larguar nga vendi? A ka ministria e Shëndetësisë statistika se sa mjekë janë larguar deri tani? Është thjesht një numër pa bërë propagandë,” shtoi Vokshi. Ministrja Manastirliu tha se ka mjekë që janë larguar por edhe që po kthehen dita ditës. Sipas saj disa prej tyre largohen për specilaizime dhe rikthehen përsëri.

“Për të minimizuar problematikën e ikjes ë mjekëve ne kemi hapur kuota për të pranuar më shumë studentë mjekësie, kemi rritur pagat, kemi dhënën bonuse dhe kemi nxitur sistemin transparent të punësimit,” ka shtuar Manastiliu.
Më tej Vokshi ka deklaruar se janë 630 mjekë të larguar nga vendi.

Problematika e mungesës së mjekëve është pasqyruar edhe në raporte të ndryshme nga organizata joqeveritare. Sipas një raporti nga shoqata “Together For Life”, dhe me të dhëna të marra nga “Urdhri i Mjekut” vitet e fundit numri i mjekëve që kërkojnë “certifikatën e sjelljes së mirë” është i njëjtë ose më i madh se numri i mjekëve të sapo diplomuar.
Në raport thuhet se nëse Universiteti i Mjekësisë nxjerr 150 deri në 170 mjekë çdo vit, mjekët që kërkojnë certifikatën janë 200.
Certifikata vlen për jashtë shtetit dhe është një indikator që tregon dëshirën dhe përpjekjet e mjekëve për tu larguar. Të dhënat e këtij studimi kanë treguar se 54% e mjekëve në vendin tonë do të largoheshin nëse do t'u jepej mundësia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë