Futboll

De Ligt kërkoi pagë më të lartë se Pike, ja pse dështoi kalimi te Barcelona!

Mathijs de Ligt është përforcimi i fundit i Juventusit, një përforcim kalibri, nga i cili priten gjëra të mëdha në të ardhmen. Por vetë holandezi qëndron me këmbë në tokë dhe kjo vërtetohet nga deklaratat e tij. "Jam i impresionuar nga niveli që kam gjetur te Juventusi dhe do të jetë e vështirë të luaj titullar. Luajnë vetëm dy mbrojtës qendre nga pesë që janë. Në ekip ka shumë lojtarë me eksperiencë dhe mësoj çdo ditë prej tyre”, - është shprehur De Ligt.

Bonuçi, Kielini, Rugani dhe Demiral janë "rivalët" e momentit dhe holandezi e di mirë këtë gjë. Mbrojtës qendre me përvojë ndërkombëtare që vënë në presion këdo, por ndoshta jo De Ligt. Ai duket i qetë dhe i gatshëm për të treguar kualitetin e tij, edhe pse pa premtime të mëdha, përveç atij për të dhënë maksimumin dhe për të fituar një rol lideri te Juventusi. “E di që presin shumë nga unë, por thjesht dua të jetoj momentin”, - thekson holandezi, i cili ka sqaruar një herë e mirë se Kristiano Ronaldo nuk ishte faktor kyç në vendimin e tij për të ardhur në Itali.

De Ligt me fanellën e Juventusit

Për kalimin e mbrojtësit nga Ajaksi te Juventusi ka të reja që vijnë nga Spanja. Sipas “Mundo Deportivo”, transferimi i lojtarit te Barcelona dështoi për faktin se holandezi kishte kërkesa të larta financiare. E përditshmja spanjolle tregon një detaj interesant: De Ligt pretendonte një pagë më të lartë se e Pike dhe Zhordi Albës, dy veteranëve të katalanasve. Një pretendim, që te Barcelona nuk është pritur mirë dhe më pas i është lënë rrugë e lirë Juventusit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë