Futboll

De Ketelaere kryen vizitat mjekësore, radha e Sançes te Milani

Gazeta Si - Ditë e rëndësishme në shtëpinë e Milanit. De Ketelaere ka kaluar vizitat mjekësore dhe është gati të hedhë firmën në kontratë me klubin kuqezi. Por jo vetëm kaq. Kampionët e Italisë kanë rritur presionin për Renato Sançes.

Mesfushori portugez nuk është stërvitur me Lilën sot dhe kjo mund të jetë një indicje për një transferim të mundshëm te Milani. Pavarësisht konkurrencës me PSG-në, kuqezinjtë nuk dorëzohen.

Pasi kanë gjetur akordin me Lilën, Maldini dhe Masara orët e fundit kanë shtuar kontaktet me agjentin Horge Mendes për një marrëveshje në lidhje me pagën e mesfushorit. Sançes preferon PSG-në, si për anën ekonomike, ashtu dhe për lidhjen që ka te kampionët e Francës me Galtier dhe Kampos.

Milani synon t’ia ndryshojë mendjen, duke i prezantuar një projekt, ku portugezi mund të ndihet protagonist. Kjo javë do të jetë vendimtare, pasi drejtuesit e klubit kuqezi duan t’i garantojnë Piolit pasuesin e Kesi.

Renato Sançes me fanellën e Lilës. Gazeta Si, 2 gusht 2022

Maldini dhe Masara ndërkohë po punojnë edhe për mbrojtjen. Sipas “Corriere dello Sport”, objektiva janë Abdu Dialo, 26-vjeçari i PSG-së, dhe Jafet Tanganga, 23-vjeçari i Totenhemit. Për këtë të fundit interesohet edhe Roma.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë