Kombetarja

De Biazi zbulon pse la jashtë Europianit Gjimshitin, Rrahmanin dhe Rashicën

Berat Gjimshiti, Milot Rashica, Amir Rrahmani dhe Herolind Shala ishin katër futbollistët e Kombëtares shqiptare, që ish-trajneri Xhani De Biazi i la jashtë Europianit të Francës, arritjes historike të futbollit shqiptar. Aktualisht, të paktën tre të parët, kanë arritur në një nivel të lartë: Gjimshiti titullar me Atalantën, Rrahmani shkëlqen me Veronën dhe është blerë nga Napoli, ndërsa Rashica është paraqitur shumë mirë me Verder Bremenin në Gjermani. Tre prej këtyre lojtarëve tani luajnë Kosovën.

Trajneri De Biazi, në një intervistë për “Klan Kosovën”, është “justifikuar” me faktin se në 2016-ën, para Eurpianit, këta futbollistë nuk ishin në këtë nivel. Madje, ai ka pohuar se për aktivizimin e Gjimshitit në ato pak ndeshje kishte ndërhyrë vetë ai.

Xhani De Biazi, ish-trajneri i Kombëtares. Gazeta Si, 20 prill 2020

Për Rrahmanin dhe Rashicën nuk ka pasur asnjë marrëveshje mes dy Federatave për largimin nga Shqipëria. Edhe nëse luanin në Francë, mund të zgjidhnin sërish Kosovën. Të dy lojtarët nuk ishin në nivelin që janë sot. Flasim për katër vite më parë. Rrahmani luante me Partizanin, kurse Rashica në Holandë. Ishte një nga ato zgjedhjet shumë të vështira për mua, njëkohësisht e dhimbshme, pasi kisha marrë tre lojtarë më shumë në përgatitjet që bëmë në Austri. I kam parë gjërat me detaje, parametrat fizikë, kualitetin e lojtarëve të ndryshëm.

Në Francë kishim lojtarët më të mirë dhe më të gatshëm. Jashtë listës lashë edhe Berat Gjimshitin dhe zgjodha Frederik Veselin, sepse luante rregullisht. Gjimshiti luajti në atë kohë vetëm tri ndeshje tek Atalanta, madje edhe ato me kërkesën time. U telefonova drejtuesve të Atalantës dhe u thashë ta aktivizonin, sepse në të të kundërt nuk mund ta merrja në Europian. Ata e morën në konsideratë kërkesën time dhe e aktivizuan, pasi ua lejonte edhe pozicioni në renditje”, - është shprehur trajneri italian.

Shala, Rashica dhe Rrahmani, kur ishin pjesë e kuqezinjve. Gazeta Si, 20 prill 2020

De Biazi ka folur edhe për kombëtaren kosovare: “Kosova është një skuadër pa shumë presion. Ka lojtarë shumë cilësorë në sulm, por edhe mbrojtje të mirë, edhe në stol ka lojtarë me nivel. Mund të kualifikohet për në Europian, duhet ta bëjë edhe për nder të ish-presidentit Fadil Vokrri. Si tifoz, uroj fitoren e Kosovës në ndeshjen me Maqedoninë e Veriut, megjithëse do të jetë ndeshje e vështirë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë