Ngjarje

Dara e acartë mbërthen vendin, dëborë deri në Sarandë

Acari ka përfshirë prej dy ditësh thuajse të gjithë territorin e vendit, ndërkohë që e premtja regjistroi temperaturat më të ulta. Temperaturat e ulta dhe reshjet e dëborës kanë sjellë probleme në qarkullim, sidomos në zonat malore.

Në Korçë akset nacionale janë të kalueshme pa zinxhirë, me përjashtim të pak nyjeve ku policia detyron vendosjen e tyre. Ndërkohë, rrugët rurale dhe ato që të çojnë në destinacionet turistike, si Dardhë e Voskopojë kalohen më vështirësi. Në një pjesë të këtyre akseve trashësia e dëborës ka arritur mbi 40 centimetra.

Probleme me qarkullimin rrugor vërehen edhe në qytet, për shkak të ngricave në rrugë, ndërkohë që nuk raportohet për aksidente. Zonat e thella të Pogradecit e Devollit janë të bllokuara thuajse totalisht. Në drejtim të Mokrës, Trebinjës, Velçanit dhe Mirasit dhe anasjelltas qarkullimi është i pamundur. Situata e furnizimit me energji elektrike raportohet përgjithësisht normale, me përjashtim të zonave të thella, ku OSHEE thotë se e ka të pamundur ndërhyrjen për riparimin e defekteve pa zbutjen e motit.

Në zonën e Dibrës termometri ka shënuar deri në -10 gradë celcius gjatë natës dhe raportohen reshje të dendura dëbore. Pjesa më e madhe e akseve të thella, si në Martanesh, Qafë Buall dhe Kala e Dodës janë të pakalueshëm, ose të kalueshëm më vështirësi. Aktualisht rruget nacionale nuk kanë probleme dhe asnjë aksident nuk është raportuar. Përdorimi i zinxhirëve është i detyrueshëm në të gjithë këtë qark dhe policia bën thirrje për kujdes në qarkullim.

Reshje të dendura dëbore dhe probleme të mëdha raportohen edhe në qarkun e Kukësit. Rruga Kukës-Peshkopi është thuajse e pakalueshme. Probleme ka edhe në rrugët që lidhin qytetin e Kukësit me njësitë administrative malore. Në njësitë administrative Arren dhe Topojan janë disa fshatra të izoluar. Reshjet kanë izoluar zona të tëra në rrethin e Pukës. Probleme ka edhe në Malësinë e Madhe dhe zonat e thella të Shkodrës.

Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi rreth mesditës së të premtes se në të gjitha akset kryesore të vendit që ka pasur reshje bore janë marrë masat e nevojshme nga kontraktorët dhe kompanitë e mirëmbajtjes duke bërë trajtimin me kripë dhe pastrimin i rrugës nga bora.

Në Dardhë, Voskopojë, Bigell Gorricë dhe në Qafën e Qarrit rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të prezencës së ngricave në rrugë, pasi temperaturat janë shumë të ulëta. Në Qafë-Thanë - Kapshticë ka pasur reshje të dobëta. Është bërë pastrimi dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë, sipas njoftimit të ARRSH.

Në segmenti fundor prej 20 km të aksit Ura e Cerenecit - Stëbleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve, për shkak të ngricave në rrugë. Në segmentin Lunik-Stëbleve rekomandohet përdorimi i zinxhirëve për shkak te pranisë së ngricave në rrugë. Edhe këtu, sipas ARRSH, kontraktorët po punojnë në të gjitha akset për pastrimin dhe shpërndarjen e kripës.

Në Qafën e Llogarasë dhe në Qafën e Muzinës nuk ka pasur reshje dhe sipas ARRSH, kontraktori ka bërë shpërndarjen e kripës që në orët e para të mëngjesit dhe qarkullimi kryhet pa probleme.

Në Sarandë reshjet e dëborës janë një fenomen i rrallë, por që këtë herë nuk u kursyen, megjithëse intenisteti i reshjeve ishte i dobët dhe nuk ngjiti në terren. Dëbora ka zbritur edhe në Gjirokastër, jo vetëm në zonat e thella të këtij qarku, por edhe në qytet.

Parashikimet e motit thonë se temperaturat minimale dhe reshjet e dëborës do të zgjasin edhe javën tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë