Kombetarja

Dalin në shitje biletat e miqësores me Kilin në Itali, 50% ulje për fëmijët

Gazeta Si – Kombëtarja shqiptare e futbollit do të luajë miqësoren e parë më 22 mars, kur do të ndeshet me Kilin në stadiumin ‘Tardini’ të Parmës në Itali. Kjo ndeshje fillon në 20:45.

FSHF ka njoftuar sot se kanë dalë në shitje biletat për këtë ndeshje, ku pjesëmarrja e tifozëve kuqezi pritet të jetë e madhe, duke qenë se në Itali punojnë dhe jetojnë shumë shqiptarë. Po ashtu, edhe për tifozët nga Shqipëria është shumë më e lehtë për të shkuar në vendin fqinj se në Suedi, ku luhet miqësorja e dytë më 25 mars.

Federata në njoftimin e saj shpjegon edhe procedurën e blerjes së biletës nëpërmjet linkut ‘Bileta për ndeshjen Shqipëri–Kili’.

Biletat janë të disponueshme në të gjitha pikat e autorizuara nga ‘Ticketone’ dhe në faqen e internetit ‘sport.ticketone.it’. Për t’u pajisur me biletë, të interesuarit së pari duhet të regjistrohen në ‘ticketone.it’, ku duhet të japin të dhënat e sakta, sipas kartës së identitetit. Deri në 3 ditë para ndeshjes mund të modifikohen të dhënat e biletës, gjithmonë nëpërmjet llogarisë në ‘Ticketone’.

Pagesa bëhet me anë të kartave VISA, MASTERCARD, MAESTRO dhe PAYPAL. Fëmijët deri në moshën 12 vjeç perfitojnë 50% ulje të çmimit të biletës në sektorët “Distinti”.

Përveç dy miqësoreve të marsit, Shqipëria ka siguruar edhe një miqësore me Lihtejnshtejnin para Europianit të Gjermanisë dhe është në kërkim edhe të një kundërshtari tjetër.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë