Katar 2022

Daliç e sheh si medalje ari për Kroacinë, Modriç shtyn lamtumirën

Gazeta Si – Pas fitores 2-1 ndaj Marokut për vendin e tretë, Zllatko Daliç, ka folur mjaft i kënaqur për këtë arritje. "Është një medalje bronzi me reflekse ari, - tha trajneri i Kroacisë. – Fituam një ndeshje të vështirë, ishte fantastike.

Kjo është një medalje për Kroacinë dhe gjithë popullin kroat, për të gjithë ata që na duan në rajon dhe në botë. Vërtet fantastike, kemi fituar dy medalje në dy Botërorë, ndaj dhe duhet t’i përgëzoj lojtarët.

Do doja që këtë fitore t’ia dedikoj njeriut që nisi gjithçka, Mirosllav Çiro Blazheviç. Shef, kjo fitore është për ty, është medalja jote. Mund të fitoj 5 medalje, por ti je trajneri i të gjithë trajnerëve. Për mua është si një medalje ari, kur e fiton në një turne kaq të madh”.

Kroatet festojne golin e Orshiç. Gazeta Si, 17 dhjetor 2022

Daliç, ish-trajner i Dinamos në të kaluarën, foli shkurt edhe për ndeshjen me Marokun: "Luajtën të gjitha ata që ishin në formë. Donim të provonim një taktikë tjetër, Orshiç ishte shumë i zoti. Ishte ndeshja e shtatë dhe është bukur të kthehesh në shtëpi si fitues”.

Pas ndeshjes së sotme pritej që Luka Modriç të zyrtarizonte tërheqjen nga kombëtarja, por duket se mesfushori ka ende energji. “Nuk tërhiqem, të luajmë një herë Ligën e Kombeve dhe pastaj të shohim”, - ka thënë futbollisti i Realit. Kapiteni 37-vjeçar e ndjen se ka ende për të dhënë për fanellën e Kroacisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë