Kosova

Daçiç: Nuk ka njohje të Kosovës e as pranim në OKB

Nga Gazeta 'Si' - Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë, Ivica Daçiç, e ka hedhur poshtë mundësinë e pranimit të marrëveshjes së Brukselit/Ohrit nga Serbia dhe ka theksuar se shteti i tij nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës dhe as “nuk do ta lejojë” që të anëtarësohet në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

“Unë i besoj presidentit Vuçiç. Ai tha se e ka përjashtuar pëlqimin e tij nga këto dy gjëra, çdo njohje de facto apo de jure e Kosovës dhe pranimin e saj në Kombet e Bashkuara. Kjo është diçka për të cilën Serbia nuk është pajtuar. Kjo do të thotë që ne nuk e pranojmë atë pjesë me të cilën nuk ishim dakord. Do të punojmë në zbatimin e pjesës tjetër, por vetëm kur të formohet Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe”, tha ai.

Daçiç duke folur për dakordësimin e Brukselit/Ohrit, theksoi se nuk do të pajtohet asnjëherë “me humbjen e vazhdueshme të territorit”.

“Patriotizmi nuk shpjegohet me asnjë plan. Patriotizmi është dashuri për atdheun. Patriotizëm është se ne do të udhëheqim një politikë të bashkuar të pavarur dhe sovrane. Dhe politika e jashtme duhet të jetë në funksion të politikës së brendshme. Nga ana tjetër, vetë plani nuk është i rëndësishëm. Është e rëndësishme që ne të mos e njohim Kosovën si shtet të pavarur. Ky është thelbi i gjithë kësaj”, tha ai.

Më tej ai ka deklaruar se ekstradimi në Kosovë i ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiç, është i pamundur.

"Të gjitha proceset gjyqësore do të zhvillohen para gjykatave vendase", u shpreh ai.

INTERPOL-i ka lëshuar ditë më parë një urdhër për arrestimin e Radoiçiçit, për shkak të sulmit të armatosur në Banjskë, në komunën e Zveçanit, në Kosovë.

Më 24 shtator, një grup i armatosur i serbëve sulmoi Policinë e Kosovës në Banjskë, në veri të Kosovës, dhe vrau rreshterin Afrim Bunjaku. Më pas, në shkëmbimin e zjarrit mbetën të vrarë tre sulmues serbë.

Radoiçiç mori përgjegjësinë për sulmin në Banjskë, duke pohuar se ai “personalisht” e ka organizuar sulmin dhe të gjitha përgatitjet logjistike, dhe se nuk ka informuar askënd për ato plane.

Kosova akuzoi Serbinë se qëndron pas sulmit, gjë që Beogradi zyrtar e mohon.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë