Futboll

Cungu luan shansin e fundit, a do të përsëritet historia Kukësi-Tirana?

Ndeshja me Teutën në Durrës përcakton thuajse gjithçka sa i takon titullit kampion për Kukësin. Me shumë mundësi, vendos edhe fatin e trajnerit Armando Cungu. Humbja me Tiranën e largoi Kukësin 8 pikë nga Partizani kryesues dhe më e pakta këtë javë duhet të ruhet kjo diferencë, që veriorët të jenë ende në lojë për titullin. Partizani luan në Laç për javën e 22-të të Superiores dhe një ndalesë e mundshme e kryesuesve, e kombinuar me një fitore të mundshme të Kukësit, do ta rikthente këtë fundit plotësisht në luftën e titullit. Por gjithçka e përcakton fusha dhe duhet të presim.

Ajo që mund të thuhet me bindje është se mbi Kukësin aktualisht presioni është i madh. Po me bindje mund të thuhet se ndeshja në Durrës është shumë e vështirë, jo vetëm se luhet në transfertë dhe me vendin e tretë në kampionat, por edhe për faktin se Teuta vjen pas një serie barazimesh dhe i duhen shumë 3 pikët për Europën. Secila skuadër do të përpiqet të shmangë humbjen, por me siguri që nuk do të luhet për barazim, sepse 1 pikë nuk i bën pikë as Kukësit dhe as Teutës. Trajneri Armando Cungu ka marrë përgjegjësitë e humbjes me Tiranën dhe e di shumë mirë se për të ruajtur vendin e punës i duhet të fitojë në Durrës. Ai ka marrë kritika edhe nga presidenti Safet Gjici pas humbjes së fundit.

Nga një ndeshje mes Kukësit dhe Teutës

Ndeshja mes Teutës dhe Kukësit po paragjykohet për faktin e këto dy skuadra ndeshen mes tyre në turin çerekfinal të Kupës së Shqipërisë. Aludimet janë se mund të kemi një skenar si ai mes Kukësit dhe Tiranës dy sezone më parë. Në atë kohë u kuptua qartë një marrëveshje e heshtur, ku njëra skuadër mori rehat pikët në kampionat dhe tjetra u kualifikua pa probleme në turin tjetër të Kupës së Shqipërisë. A do të ndodhë kështu edhe këtë radhë, ku kundërshtari i Kukësit nuk është Tirana, por Teuta? Logjika është e pranueshme: Teuta është në vend të tretë dhe mund ta mbajë atë, ndërkohë që kalimi “pa pengesa” në gjysmëfinale të Kupës së Shqipërisë sigurisht që e intrigon. Në Shqipëri paragjykimet janë gjithmonë dhe të shumta, ndërkohë që përgjigjen do ta japë fusha e stadiumit “Niko Dovana”.

Teuta-Kukësi është çifti i parë i javës së 22-të të Superiores. Kjo ndeshje luhet të premten, në orën 18:00, në Durrës. Java vazhdon të shtunën me ndeshjen Tirana-Luftëtari dhe të dielën me ndeshjet Laçi-Partizani, Kamza-Kastrioti dhe Flamurtari-Skënderbeu. Interesante duket sfida e Kamzës, ku ekipi vendës dhe Kastrioti luajnë një 90-minutësh mjaft të rëndësishëm mbijetese. Edhe në Vlorë, pavarësisht se Flamurtari dhe Skënderbeu nuk janë në nivelin e duhur, parashikohet një ndeshje e fortë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë