Kombetarja

Çudia e radhës, Strakosha jashtë kombëtares se humbi avionin

Në prag të fillimit të eliminatoreve për kampionatin europian 2020, situata në kampin e kombëtares shqiptare është trazuar shumë. Mësohet se portieri i parë i skuadrës kuqezi, Tomas Strakosha është lënë jashtë grumbullimit për këto dy ndeshje nga tekniku italian. Arsyeja e këtij përjashtimi të gardianit të Lacios është disi e çuditshme.

Bëhet me dije se Strakosha ditën e diele pasi ka përfunduar ndeshjen me Lacion, ku fitoi 4-1 me Parmën është nisur drejt aeroportit të kryeqytetit italian për t’u nisur për në Shqipëri. Por për shkak të një bllokimi të autostradës që të çon në aeroport, Strakosha ka mbetur i bllokuar në trafik dhe nuk ka mundur dot ta kap avionin për në Tiranë. Në këtë moment portieri kuqezi ka kontaktuar menjëherë me trajnerin Kristian Panuçi për ta njoftuar për ngjarjen dhe t’i kërkonte leje që të mund të paraqitej në grumbullim mëngjesin e së hënës.

Por nga krahu tjetër i telefonit përgjigja e teknikut italian ka qenë e prerë. Panuçi ia ka bërë të qartë Tomas Strakoshës se nëse nuk paraqitet në grumbullimin e ekipit kuqezi brenda orës 19:00, atëherë më mirë të mos vinte farë. Menjëherë pas kësaj lëvizje, në kombëtare për këto dy ndeshje është thirrur portieri titullar i ekipit U-21, Gentian Selmani, i cili do të zëvendësojë kështu Strakoshën për këto dy ndeshje të para eliminatore për kampionatin europian “Euro 2020”.

Kjo sjellje “diktatoriale” e Kristian Panuçit nuk është risi, pasi edhe më herët tekniku italian ka shfaqur sjellje të tilla. Në grumbullimet për Ligën e Kombeve ‘pre’ e këtyre rregullave të hekurt të Panuçit kishte rënë sulmuesi Sokol Cikalleshi. Mbetet për t’u parë tashmë se cili do te jetë impakti i kësaj vendimmarrje të Panuçit në harmoninë e grupit në prag të këtyre dy ndeshjeve me Turqinë dhe Andorrën.

 

Më Shumë