Arsim

Ç’po ndodh me universitetet? Pse mbyllen gjithë këto degë?

Pas përfundimit të raundit të fundit të regjistrimeve dhe gati 2 javë nga nisja e vitit të ri akademik 2023-2024, një pjesë e konsiderueshme e profileve në instituticionet e arsimit të lartë do të mbyllen sepse kanë pasur zero regjistrime. Universiteti i Elbasanit mban vendin e parë dhe janë gati 11 profile që nuk kanë asnjë student.

Gevio Tabaku, nga “Qëndresa Qytetare”, shpjegon se janë degë të tilla që lidhen më mësuesinë ato që kanë zero regjistrime. “Janë degë kryesisht që lidhen më mësuesinë, si Histori dhe Gjuhë Gjermane, Gjuhë shqipe dhe Rome, Gjeografi dhe Gjuhë Italiane, Gazetari dhe Gjuhë Angleze, Fizikë Kompjuterike, Filozofi-Sociologji, Matematikë, Informatikë. Janë degë që konsiderohen prioritare dhe qeveria hartoi një plan masash financiare, por me sa duket ato nuk kanë funksionuar”, shprehet ai.

LEXO EDHE:
Viti akademik 2023 / Më shumë kuota dhe programe por më pak studentë

“Qëndresa Qytetare”, duke analizuar regjistrimet, ka vënë re se në universitetet e rretheve studentët e rinj ka qenë më shumë të interesuar për degë si: mamí dhe infermieri e përgjithshme por edhe për degë dyvjeçare profesionale. Tabaku shprehet se ka arsye pse po ndodh kjo.

“Studentët po zgjedhin këto degë sepse kanë më shumë mundësi të gjejnë punë jashtë vendit, kryesisht në Gjermani. Së dyti, numri i lartë i regjistrimeve të larta në programet Infermieri e Përgjithshme dhe Mamí sjell një sfidë të madhe për Shqipërinë: fenomenin “brain drain”. Sipas kryetarit të Shoqatës së Infermierëve, Elson Jaçaj, vetëm gjatë periudhës 2020-2023 nga vendi janë larguar rreth 16 mijë infermierë”, thotë Tabaku.

Por si e vlerësojnë ekspertët e arsimit boshatisjen e auditorëve? Nora Malaj, ish zv/ministre e arsimit, thotë se ka disa arsye.

“Të rinjtë shqiptarë po zgjedhin ato degë atje ku mendojnë se studimet e tyre përkthehen në punësim. Fakti që kemi minus 10 mijë më pak të regjistruar tregon shumë. Fenomeni i shpopullimit ka çuar në tendencën që nga Shqipëria të largohen familje shqiptare sëbashku me fëmijët e tyre që kanë një nivel goxha të konsiderueshëm arsimor. 60% e studentëve të rinj që janë ulur në auditorë sot janë dhe të punësuar që tregon që vendimarrja e tyre për të ardhmen duhet të jetë me laps e letër. Statusi i studentit nuk respektohet, ndaj të rinjtë shqiptarë janë në udhëkryeq sepse nuk gjejnë të mëshiruara nevojat që ata kanë”, shprehet Malaj për Gazeta “Si”.

Për sa u përket programeve prioritare që rrezikojnë të mbyllen Malaj shprehet se kjo është një problematikë për të cilën ajo e ka ngritur alarmin që dy vjet më parë.

“Në 2030 ne nuk do të kemi as matematikë, as fizikë, as kimi. Programet e mësuesisë kanë kapur atë që quhet vija e kuqe. Kjo është këmbanë alarmi dhe do të na kthehet në një problematikë të madhe. Qeveria duhet të ketë një strategji të vazhdueshme, jo paketa të vogla mbështetëse. Sistemi nuk është fleksibël, nuk ka një politikë të mirëorientuar. Duhet të mblidhet një Këshill Kombëtar sepse është një problematikë që përfshin të gjithë vendin”, shprehet Malaj.

Për vitin akademik 2023-2024, për studentët që do të regjistroheshin në degët prioritare nuk do të ishte më e nevojshme mesatarja 8.5. Ndërkohë që nëse zgjedhin këto degë dhe ruajnë mesataren 9.5 gjatë viteve të studimit, studentët do të përfitojnë bursë mujore sa paga minimale 40,000 lekë. Por me sa duket, pavarësisht mbështetjes financiare, të rinjtë nuk janë joshur për t’i zgjedhur këto degë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë