Ngjarje

Covid, si Grinçi që vodhi Krishtlindjen 2020

Sheshi Skënderbej, foto kortezi:Arben Biçoku

Mesha e mesnatës, në vigjilje të Krishtlindjes edhe për ata jo fort besimtarët  sikur e ngrohte dhe i jepte dritë të ftohtit të dhjetorit me flakën e qirinjve,  këngët e korit, mesazhin e paqes nga ipeshkvi, lutjet me shpresë për mot më mirë...

Një foshnjë na u lind, thonë besimtarët, një foshnjë që do të  sillte shpresë për botën e mëkatarët, ndërsa astronomët njoftuan vetëm pak ditë para Krishtlindjes një ngjarje të rrallë të takimit të Saturnit me Jupiterin, që mendohet se ishte shfaqur edhe natën e lindjes së foshnjës Jezu e që u kishte prirë udhën dijetarëve drejt grazhdit të bekuar...Por as ky fenomen i pazakontë, që ngjet të paktën njëherë në tetëqind vjet nuk ndryshoi ndonjë gjë për mirë në atmosferën kërshendellase.

Ky vit, i zhytur në dëshpërimin pandemik, mes jetës, shëndetit dhe ekonomisë së pasigurt sikur e shton trishtimin, ku pas Pashkës me imazhin e sheshit të Shën Pjetrit të zbrazët dhe vetminë e Papa Franceskut vijnë masat e lockdown-it për Krishtlindje,  nga qeveritë,  thuajse në të gjithë botën.

Përmes një letre, Arqipeshkvi i Tiranës dhe i Durrës, imzot George Frendo, e cilësoi vendimin e Komitetit Teknik për ta vendosur orën policore në tetë e gjysmë të mbrëmjes, si të nxituar.

“Ne si Kishë Katolike kishim marrë të gjitha masat që të kremtonim meshët në orare të përshtatshme qysh prej datës 3 dhjetor 2020”, shkruhej në letër, ndërsa meshët ishin vendosur në orarë që u lejonin njerëzve kthimin në shtëpi, para orës dhjetë të mbrëmjes.

“Ky ndryshim i papritur që nis pikërisht Natën e Krishtlindjes, na duket i nxituar dhe diskriminues ndaj komunitetit katolik, që është e vetmja Kishë e Krishterë që kremton lindjen e Krishtit natën”, vijonte letra, ndërsa besimtarët katolikë ishin njoftuar se mesha e Krishtlindjes  do të kremtohej të enjten mbrëma, në orën tetë në Katedralen e Shën Palit, në kryeqytet.

Kjo ngjarje ishte ndoshta ajo që do u ngrohte zemrat ithtarëve, ndërsa prej nëntë muajsh kishat janë të zbrazëta ose të gjysmuara për shkak të masave të distancimit social.

Por si është atmosfera në Europën tradicionalisht  të krishterë dhe ç’vendime të ashpra u  është dashur qeverive të marrin në periudhën e festave?

Kryeministri holandez Mark Rutte ka deklaruar se vendi shkon  në një bllokim të rreptë për pesë javë, nga 15 dhjetori  deri në 19 janar. Dyqanet jo thelbësore, kinematë, parukierët dhe palestrat dhe shkollat ​​u mbyllën javën e shkuar. Qytetarëve u është thënë të përmbahen nga rezervimi i udhëtimeve jo-thelbësore jashtë vendit deri në mes të marsit.

Megjithatë, kufizimet do të lehtësohen disi  për tri  ditët e Krishtlindjes, kur familjeve holandeze u janë lejuar tre në vend të dy mysafirëve, pa llogaritur fëmijët nën 13 vjeç.

Rutte mbajti fjalimin, ndërsa protestuesit mund të dëgjoheshin duke fishkëllyer dhe duke bërtitur jashtë zyrës së tij.

“Ne duhet ta kafshojmë këtë mollë shumë të athët,  përpara se gjërat të bëhen më mirë. Dhe po, do të përmirësohen. Do të vijë një kohë kur koronavirusin do ta kemi lënë pas, kur jeta jonë do të jetë përsëri normale”, tha ai. “Nuk do të ndodhë tani, as për një javë, ose një muaj. Por me vaksinën, 2021 do të jetë me të vërtetë një vit shprese dhe drite në fund të tunelit”.

Njoftimi vjen mes shqetësimit për rritjen e infeksioneve në vend, kohët e fundit me rreth 10,000 infeksione të regjistruara në një ditë të vetme.Gjatë fundjavës,  një sërë qytetesh holandeze u kërkuan njerëzve të qëndronin larg,  pasi fotot tregonin dyqane të mbushura me blerës të Krishtlindjeve.

Edhe Britania e Madhe duket se ka lënë një frëngji hapur mes kufizimeve, në mënyrë që qytetarët e saj të kremtojnë Krishtlindjen.

Midis 23 dhe 27 dhjetorit (ose 22 deri 28 Dhjetor në Irlandën e Veriut) nuk do të ketë kufizime të udhëtimit dhe njerëzit do të jenë në gjendje të bëhen bashkë në ambiente të mbyllura  dhe të qëndrojnë gjatë natës.

Sidoqoftë, numri i njerëzve që mund të bëhen bashkë është i kufizuar. Të ashtuquajturat rregulla “Toptha të Krishtlindjeve” mund të përfshijnë maksimumi tre familje në shumicën e Mbretërisë së Bashkuar,  ose deri në tetë persona në Skoci.

Këto toptha, të cilat mund të hasen edhe në vendet e adhurimit dhe hapësirat publike në natyrë, janë ngritur gjatë gjithë periudhës festive. Kjo do të thotë që njerëzit nuk mund të përzihen me dy familje në Ditën e Krishtlindjes dhe dy të ndryshme në një tjetër , për shembull.

Sidoqoftë ekspertët e shëndetit i kanë nxitur njerëzit të mendojnë me kujdes se me kë bëhen bashkë.Kjo vjen ndërsa kryeqyteti Londër dhe disa zona përreth do të kalojnë në majën e lartë të nivelit 3 të rregullave,  pas një rritjeje  të rasteve dhe identifikimit të një varianti të ri të koronavirusit.

Nga 16 dhjetori, pub-et dhe restorantet do të mbyllen me përjashtim të dërgesave dhe vakteve të marra në dorë dhe mjediset  më të mbyllura të argëtimit, si dhe stadiumet sportive gjithashtu do të mbyllen.

Italia në shtetrrethim kombëtar, këtë vit nuk do t’i ngrejë tregjet tipike të Krishtlindjes.

Italia aktualisht po sheh numrin më të lartë të vdekjeve që nga fundi i marsit dhe kryeministri Giuseppe Conte u ka thënë italianëve të presin një “Krishtlindje më të matur, pa mbledhje familjare, përqafime dhe puthje të Natës së Krishtlindjes”.

Shumë rajone italiane janë nën bllokim të pjesshëm dhe është njoftuar ndalimi i udhëtimit midis rajoneve të ndryshme nga 21 dhjetori deri më 6 janar.

Në krye të ndalimeve rajonale të udhëtimit është që, njerëzit nuk do të lejohen të largohen nga qytetet e tyre ditën e Krishtlindjeve, të nesërmen pas feste dhe ditën e Vitit të Ri. Do të ketë përjashtime për punën, arsyet mjekësore ose emergjencat. Po ashtu do të vendoset një shtetrrethim nga ora 22:00 deri në 05:00 të mëngjesit.

Kishat lejohen  të qëndrojnë të hapura, por ora e ndalimit do të thotë që mesha tradicionale e mesnatës nuk ka gjasa të ndodhë. Ndërkohë, tregu i dashur italian i Krishtlindjes tashmë është ndaluar.

“Ne mendojmë se duhet të marrim masa paraprake më të mëdha për të parandaluar një rritje të infeksioneve”,  tha Conte.

Por nuk janë të gjitha lajme të këqija: Z. Conte i ka siguruar fëmijët se Babbo Natale (Babagjyshi) do t’i vizitojë patjetër pasi është i përjashtuar nga kufizimet globale të udhëtimit. Çfarë lehtësimi!

Shumë europianë drejtohen në shpatet e skive gjatë Krishtlindjeve, por kontinenti është i ndarë në lidhje me atë nëse do të mbahen vendpushimet e hapura.

Kryeministri italian Conte ka paralajmëruar kundër këtyre pushimeve tradicionale. “Ne nuk mund ta përballojmë atë’,  tha ai. Ai është një nga disa udhëheqës të BE, duke përfshirë kancelaren gjermane Angela Merkel dhe presidentin francez Emmanuel Macron, të cilët janë përpjekur të bashkërendojnë një marrëveshje në të gjithë Europën për të shtyrë sezonin e skive.

Të tre vendet kanë mbyllur teleferikët e tyre gjatë Krishtlindjes.

Këto mbyllje të përhapura nënkuptojnë se vendpushimet e njohura në Alpe dhe Dolomite do të humbin miliarda euro të ardhura. Zyrtarët e turizmit ishin të shpejtë për të kritikuar planin, me presidentin e një organi francez të turizmit që pyeste: “Pra 400 njerëz në një metro të Parisit nuk do të infektohen, por katër njerëz në një ashensor skish, po?!”

Austria beson se mund të ofrojë pushime të sigurta pasi kufizimet të  lehtësohen dhe skitë atje do të lejohen nga 24 dhjetori, megjithëse rregullat e karantinës mund të nënkuptojnë se është kryesisht vendas,  pasi hotelet nuk do të hapen. Vendpushimeve zvicerane u është thënë se ata janë të lirë të qëndrojnë të hapur me masat e sigurisë të vendosura.

Disa kanë frikë se - pa konsensus - pushuesit do të udhëtojnë në distanca të gjata për të vizituar vendpushimet e lejuara. Në Francë, do të ketë kontrolle të rastësishme kufitare për të parandaluar pushuesit që të shkojnë për të skijuar në vendet fqinje,  siç është Zvicra.

Më 15 dhjetor,  Franca hoqi një bllokim të vendosur më 28 nëntor mbi kufizimin e udhëtimeve vetëm për Krishtlindje,  por masat e rrepta janë ende në fuqi pasi infeksionet janë ende të larta.

Kufizimet që nënkuptonin  se çdo udhëtim jashtë shtëpisë duhej të bëhej për një arsye të vlefshme, të certifikuar në letër ose smartphone, gjithashtu janë hequr.

Në vend të kësaj do të ketë një shtetrrethim mbarëkombëtar,  nga ora 20:00 deri në 06:00, i cili do të hiqet në prag të Krishtlindjes,  por jo në prag të Vitit të Ri. Teatrot dhe kinematë do të qëndrojnë të mbyllura,  ashtu si baret dhe restorantet.

Vendimi për të mbajtur të mbyllura vendpushimet jashtëzakonisht të njohura të skive në Francë solli  zhgënjim të  madh, me kryebashkiakët lokalë që ankoheshin për muaj të tërë se puna ishte zhdukur. Macron tha se ata mund të rihapen në janar, “nën kushte të favorshme”.

Gjermania do të hyjë në një bllokim të ashpër gjatë periudhës së Krishtlindjes, pasi numri i vdekjeve dhe infeksioneve nga virusi është rritur në javët e fundit. Dyqanet dhe shkollat ​​jo-thelbësore do të mbyllen në të gjithë vendin gjatë bllokimit, i cili zgjat nga 16 dhjetori  deri më 10 janar. Kancelarja Angela Merkel ka fajësuar blerjet e Krishtlindjeve për një rritje “të konsiderueshme”,  të kontakteve sociale.

Një maksimum prej pesë personash nga jo më shumë se dy familje aktualisht lejohen të mblidhen në një shtëpi. Por ky kufi do të zbutet nga 24 deri më 26 dhjetor, kur një familje do të jetë në gjendje të presë maksimumi katër anëtarë të ngushtë të familjes nga shtëpi të  tjera. Fëmijët nën moshën 14 vjeç nuk përfshihen në këtë kufizim.

Nën bllokimin kombëtar, dyqanet thelbësore, të tilla si ato që shesin ushqime, do të qëndrojnë të hapura, ashtu si edhe bankat. Pikat e shitjes së pemëve të Krishtlindjes gjithashtu mund të vazhdojnë tregtinë. Sallonet e flokëve janë ndër bizneset që duhet të mbyllen.

Shumica e tregjeve kryesore të Krishtlindjeve në Gjermani tashmë janë anuluar. Sa i përket Vitit të Ri, shfaqjet e fishekzjarrëve janë anuluar,  ndërsa lëshimi i tyre në rrugë ka të ngjarë të dekurajohet.

Qeveria spanjolle ka miratuar një sërë rregullash për periudhën midis 23 dhjetorit dhe 6 janarit. Megjithatë, qeveritë rajonale kanë fuqinë të ashpërsojnë këto rregulla të përbashkëta nëse e gjykojnë të nevojshme. Gjatë kësaj dritareje, do të lejohet udhëtimi midis rajoneve, me kusht që njerëzit të vizitojnë miqtë dhe familjen.

Mbledhjet shoqërore në Vigjilje, ditën e Krishtlindjeve, natën e Vitit të Ri dhe ditën e Vitit të Ri do të kufizohen në 10 persona. Dhe ndryshe nga shumë vende europiane, ky kufi përfshin fëmijët.

Ora policore  aktuale  do të zgjatet gjithashtu në 01:30 në prag të Krishtlindjes  dhe natën e Vitit të Ri.

Familjet spanjolle tradicionalisht festojnë Festën e Tre Mbretërve me një paradë më 5 janar, por qeveria ka rekomanduar që festimet të mos zhvillohen.

Austria doli nga bllokimi i saj i dytë kombëtar më 7 dhjetor dhe kufizimet u lehtësuan më pas përpara Krishtlindjes. Orët e një qarkullimi mbarëkombëtar u ulën, nga 20:00 deri  06:00, ndërsa dyqanet jo-thelbësore dhe bizneset e tjera u rihapën.

Restorantet dhe baret, megjithatë, do të qëndrojnë të mbyllur gjatë periudhës festive për gjithçka, përveç ushqimit me vete. Tregjet tradicionale të Krishtlindjes do të mbyllen gjithashtu.

Hotelet, ndërkohë, janë të hapur vetëm për ata që udhëtojnë për arsye pune. Vizitorët  nga vendet me më shumë se 100 raste për 100,000 banorë - të cilat përfshijnë Gjermaninë dhe Italinë - do të duhet të bëjnë karantinë për 10 ditë.

Qeveria porositi  të paktën shtatë milion analiza të antigjenit dhe testimi vullnetar në masë është kryer në të gjithë vendin. Në Rusi, kremtimet kryesore zakonisht zhvillohen në prag të Vitit të Ri me shumë njerëz që festojnë gjithë natën.

Por gjatë dy dekadave të fundit ka pasur një rritje në festimet e Krishtlindjes, të cilat shumica e Krishterë Ortodokse e vendit i shënon në 7 Janar. Por megjithatë,  kufizimet ka të ngjarë të zvogëlojnë festimet gjatë gjithë periudhës së festave.

Në kryeqytetin, Moskë, zyrtarët njoftuan masa të reja që do të zgjasin deri më 15 janar. Këto përfshijnë kohën e mbylljes së hershme për restorantet dhe kafenetë dhe një kufi kapaciteti prej 25% në kinema dhe teatro. Banorët mbi moshën 65 vjeç dhe ata në grupe me rrezik të lartë duhet gjithashtu të vetë-izolohen deri në këtë datë.

Festivali një mujor i rrugës ka të ngjarë të anulohet, raportojnë mediat lokale.Rajonet e tjera kanë futur kufizime të ngjashme.

Kjo vjen pasi zyrtarët e shëndetësisë paralajmëruan se situata mbetet e paqëndrueshme dhe epidemia nuk ka arritur akoma kulmin,  në të gjithë vendin. Rastet e viruseve janë rritur javët e fundit dhe një numër rekord ditor u regjistrua më 26 nëntor.

Zëdhënësi i Qeverisë Greke , Stelios Petsas,  njoftoi më 14 dhjetor kufizime të reja për mbledhjen e familjeve gjatë festave të Krishtlindjes dhe Vitit të Ri. Jo më shumë se nëntë persona (nga dy familje) duhet të mblidhen në të njëjtën shtëpi, në mënyrë që të shmanget mbipopullimi.

“Për prag dhe në ditën e Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri, ne u rekomandojmë të gjithëve që këto festa të mos jenë një rast për grumbullim njerëzish. Në çdo rast, nuk lejohet që më shumë se nëntë njerëz nga dy familje të mblidhen në një shtëpi”, tha Petsas. Ai përsëriti se ora policore mbarëkombëtare nga 10 mbrëmjes deri në 5 të mëngjesit,  do të vazhdojë të zbatohet.

Të gjithë individët që banojnë në Greqi do të kërkohet të dërgojnë një mesazh me tekst, në mënyrë që të marrin leje për të lënë shtëpitë e tyre gjatë bllokimit. Disa nga arsyet e vlefshme për leje janë vizitë në farmaci apo mjek, supermarket për blerje të domosdoshme, apo pjesëmarrja në një varrim, sipas kushteve të parashikuara nga ligji. Kushdo që largohet nga shtëpia do të duhet të ketë me vete një kartë identifikimi ose dokument të vlefshëm.

Për Shqipërinë, siç njoftoi pak ditë më parë ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, ora policore do të aplikohet në 20:30 deri në 06:00 të mëngjesit  nga 24 dhjetori, që përkon edhe me vigjiljen e Krishtlindjes dhe do të jetë në fuqi deri më  4 janar.

Përjashtim nga ky rregull bëhet për personat që duhet të lëvizin për emergjenca shëndetësore, motive pune apo nevoja të domosdoshme. Personat që lëvizin për arsye pune apo arsye të domosdoshme pajisen me autorizim përmes portalit e-albania. Kufizimi i lëvizjes i rikthehet sërish orës 22:00,  prej 5 janarit.

Gjithashtu, Komiteti Teknik i Ekspertëve ka marrë vendim  për kufizimin e aktivitetit të bareve dhe restoranteve, fast food, lokale, që ofrojnë shërbim për klientët nga ora 20:30 deri në orën 06:00, duke filluar nga data 24 dhjetor deri në datën 4 janar, duke përjashtuar shërbimin në banesë. Prej datës 5 Janar kufizimi i aktiviteteve të bareve dhe restoranteve rikthehet në orën 22:00. Po ashtu, ky komitet ekspertësh  rekomandon të gjithë qytetarët të shmangin udhëtimet, si dhe aktivitetet jo thelbësore.

“Të gjitha këto masa që kemi marrë, që kemi vendosur së bashku me të gjithë rekomandimet e Komitetit Teknik të Ekspertëve, do të rivlerësohen në mënyrë dinamike. Pra, nëse do të jetë e nevojshme dhe do të rivlerësohet situata ashtu sikurse është bërë deri më sot, do të merren masa të reja, apo do të rivlerësohen ato ekzistuese. Gjithmonë me synim për mbrojtjen e shëndetit të popullatës”, do të shprehej Manastirliu.

Sepse na ka lindur një fëmijë, një djalë na është dhënë. Mbi supet e tij do të mbështetet perandoria dhe do të quhet Këshilltar i admirueshëm, Perëndi i fuqishëm, Atë i përjetshëm, Princ i paqes...Mbi këtë vegim të profetit Isaia, gëzohen të krishterët dhe kanë arsye të festojnë, duke u thënë njëri-tjetrit natën e Krishtlindjes “Krishti u lind!”.

Ky vit, mes shumë të trishtësh e të trazuarish që ka kaluar Shqipëria, duket se i shkon më shumë poezisë së njohur të Xhevahir Spahiut, i cili shkruan...

Nëse më pyet:

Si qe ky vit që shkoi?

Të përgjigjem:

I zi.

Ky vit që vjen

O zot, jo se s’të besoj

Në mos i bardhë

Të paktën qoftë gri.

Me urimin që Krishtlindja ardhtë e bardhë për çdo besimtar të krishterë  e për ata besimpak, do të mësohemi të kremtojmë me kufizime dhe në vend të përqafimeve me familjarët e të afërmit, do të ketë përshëndoshje online dhe Grinçi-Covid të mos na vjedhë më, jo vetëm festa, por asnjë minutë lirie nga jeta...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë