Sociale

Me 24 raste te reja, shkon në 518 numri i të infektuarve. Vdes 64-vjeçarja, gjithsej 26 viktima

Shkon në 26 numri i viktimave nga Covid-19. Gjatë 24 orëve të fundit ka ndërruar jetë një 64-vjeçare nga Tirana e cila vuante nga disa sëmundje bashkëshoqëruese. E shtruar në spitalin “Shefqet Ndroqi”, gjendja shëndetësore e pacientes është përkeqësuar mëngjesin e sotëm dhe ajo ka bërë arrest kardiorespirator. Silva Bino nga ISHP bën me dije se gjatë 24 orëve të fundit gjithashtu janë konfirmuar edhe 24 raste të reja, gjë që e tha dhe Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu në fjalimin e saj në Kuvend. Në mesin e personave të infektuar janë 6 personel shëndetësor dhe hartës i është shtuar edhe qyteti i Mallakastrës, ndërkohë që ekspertja e ISHP bën me dije se 26 pacientë i janë shtuar listës së të shëruarve.
“Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive. Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 9 pacientë të shtruar. 5 pacientë janë në terapi intensive, ndërsa 3 prej tyre janë të intubuar. Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 43 pacientë. Harta e të prekurve nga COVID-19 shtrihet në Mallakastër dhe zgjerohet në Tiranë, Kukës, Fier, Kavajë, Shkodër dhe Korçë. Janë testuar 4827 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë 518 raste.” shtoi Bino.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:

  • Tiranë 241 raste
  • Durrës 42 raste
  • Lushnjë 6 raste
  • Elbasan 16 raste
  • Fier 35 raste
  • Kavajë 9 raste
  • Rrogozhinë 4 raste
  • Korçë 19 raste
  • Vlorë 5 raste
  • Shkodër 83 raste
  • Lezhë 14 raste
  • Berat 2 rast
  • Has 13 raste
  • Krujë 7 raste
  • Tropojë 4 raste
  • Pukë 5 raste
  • Mirditë 3 raste
  • Kukës 9 rast
  • Mallakastër 1 rast

Si çdo ditë Bino përsëriti thirrjen për qytetarët që të respektojnë masat dhe nëse kanë shenja të sëmundjes të telefonojnë 127, ndërsa nëse kanë nevojë për informacion të telefonojnë 0800 40 40.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë