Sociale

Covid-19, pozitiv edhe deputeti i LDK-së, Hoti paralajmëron me rikthimin e izolimit

Kosova ka regjistruar 96 raste të reja me Covid-19 ditën e shtunë, mes të cilëve edhe kreu i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe familja e tij, Arben Gashi.

Gashi ka njoftuar se ka dalë pozitiv pas testimit dhe se kishte simptoma të lehta të infeksionit, ndërkohë që autoritetet kanë nisur marrjen e tamponit për kryerjen e analizave të deputetëve të tjera të Kuvendit, sidomos të bashkëpunëtorëve të ngushtë të deputetit të LDK-së.

Nëse nga këto analiza del një numër relativisht i lartë deputetësh pozitivë, pritet që të ndërpritet puna e Kuvendit dhe ndalimi i seancave plenare për një periudhë të paktën dyjavore.

Ndërkohë, Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka paralajmëruar se me ritmet e përhapjes së pandemisë spitalet e vendit do ta kenë të pamundur ta përballojnë situatën dhe vendi rrezikon që të shkojë sërish drejt mbylljes.

“Me këtë ritëm, shpejt do të bllokohet Klinika Infektive dhe atëherë mjekët tanë do të përballen me vendime të vështira morale se kënd duhet ndihmuar më parë. Ato skena i kemi parë në vendet që e përjetuan shumë rëndë këtë pandemi. Nuk mund të lejojmë të na krijohen situata të tilla. Nëse vazhdon ky ritëm, do të detyrohemi t’i kthejmë masat e izolimit total, të cilat do të kenë pasoja të rënda për ekonominë dhe familjet tona”, shkruan Hoti në rrjetet sociale.

https://www.facebook.com/avdullah.hoti/posts/3406818159379514

Hoti kërkon respektimin e distancës fizike, mbajtjen e maskës dhe higjienën personale për të kufizuar përhapjen e virusit.

“Mos përmbushja e këtyre masave rrezikon shëndetin e qytetarëve dhe, rrjedhimisht, është e dënueshme. Nuk do të ketë tolerancë për askënd që shkel këto rregulla. Nuk mund të pësojmë si shoqëri për shkak të papërgjegjësisë së bartësve të institucioneve apo bizneseve që nuk i ndërmarrin masat mbrojtëse adekuate”, deklaron ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë