Politike

COVID-19, PD: 10 pyetje për Ramën dhe Manastirliun

Partia Demokratike ka 10 pyetje për situatën e pandemisë në vend dhe masat që janë marrë nga qeveria.

Ata që duhet të përgjigjen janë ose kryeministri Edi Rama ose Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu.

“Si është situata konkrete, pasi me denoncimet që na vijnë, arsyeja se pse nuk hapet as edhe një repart i ri spitalor, pas Covid 1 e 2 është se nuk ka pajisje e madje as mjekë (sidomos anesteziste-reanimatore) mjaftueshëm?

A është e vërtetë se ka mungesa serioze stafi mjekësor, kryesisht anestezistë edhe tek vetë spitali infektiv?

Cfarë po bëni për t’ua lehtësuar mbingarkesën stafit ekzistues, që po mban peshën e mungesave në mjekë e infermierë?

Cfarë keni bërë për sigurimin e pajisjeve e kapaciteteve shtesë në staf shëndetësor (dy spitale të tjera Covid 3 e 4 i duan të dyja), prej muajit janar kur nisën përgatitjet serioze për këtë pandemi, nën nxitjen e ekspertëve vendas e të huaj?

Sa ka qenë e do jetë financimi nga buxheti i shtetit për rritje kapacitetesh apo keni ndjekur strategjinë e papërgjegjshme të pritjes vetëm të ndihmave nga partnerët e miqtë e huaj?

Cfarë po bëni për të rritur buxhetin për shëndetësinë, sepse edhe vetë OKB shprehu shqetësimin për nivelin e ulët, që rrezikon betejën me Covid-19 në dëm të shqiptarëve?

Kur do rishikoni dhe anuloni koncesionet për të kaluar fonde e shërbime tek institucionet e shëndetit publik, pasi ende nuk dihet si do sillet virusi Korona në muajt e ardhshëm e si do mbivendosen me virusin e gripit stinor?”, pyeti Bardh Spahia, duke shtuar edhe tre pyetjet e mëhershme nga ana e selisë blu drejtuar Manastriliut.

“Nga janë marrë e me çfarë procedurash tamponët që dalin në përqindje kaq të lartë fals negative për personat e dyshuar me Covid-19?

 Edhe sa viktima të tjera duhet të ketë, që të impenjoheni seriozisht për rritje fondesh, kapacitetesh dhe tamponësh për të bërë si duhet identifikimin e gjurmimin e përhapjes së Covid-19 në gjithë vendin, e për ta këputur zinxhirin e infektimit?

Akoma besoni se ky virus mund të luftohet vetëm me propagandë?”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë