Shendet

Covid-19/ Më shumë femrat po kërkojnë psikologun, Havolli: Kujdes me fëmijët

Sabina Veizaj - Një nga këto ditët kur tashmë Koronavirusit kishte marrë krahët e kishte hyrë në Kosovë, doktor Havolli ndërmend një fëmijë 12-vjeçar të tmerruar pasi kishte dëmtuar këmbën nga loja dhe mendonte se këmba e tij ishte infektuar me koronavirus.

Në një intervistë për Gazetën “Si” psikolog Ilir Havolli, këshillon të gjithë pridërit që t'i mbajnë fëmijët larg informacioneve në lidhje me ngjarjet që shkakton virusi i ri dhe të adaptojnë një stil të re jete, të shëndetshëm në kushtet e shtëpisë.

Ai jep këshilla edhe për të rriturit dhe moshën e tretë duke i cilësuar ata heronj, të cilët në rast se vazhdojnë të qëndrojnë në shtëpi dhe të zbatojnë rregullat e publikuara, “të gjithë do t'ia dalim me sukses kësaj që po përjetojmë”.

Doktor Havolli tregon se shërbimi i ofruar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shqipërisë po funksionon; pranë këtij shërbimi regjistrohen mbi 40 raste në ditë, prej të cilëve më të shumtët janë femra.

Doktor, në këtë situatë ju jeni në linjën e parë të shërbimit. Konkretisht me se po merreni?

Në këtë kohë krize, ne po merremi me kontrollin e popullatës, me turne alternative, në pikën kufitare dhe po ashtu në spital. Unë jam Shqiptar i Kosovës, jam i angazhuar në kufirin Kosovë-Serbi, përkatësisht në pikën kufitare Jarinjë , duke bër kontrollin e popullatës për identifikimin sa më të hershëm të shenjave klinike që lidhen me virusin COVID 19, virus i cili ka shkaktuar një pandemi globale.

Doktor Ilir Havolli duke i matur temperaturën një udhëtari

Gjatë kësaj kohe kur jam në shërbim në sistemin publik shëndetësor, kam rolin e mantelbardhit, por duke qenë se me profesion jam dhe psikolog klinik, atëherë njëherit përdor edhe këshillimet psikologjike për udhëtarët apo pacientët që kontrollohen për ti qetësuar ngase dihet se kjo pandemi ka përhapur një situatë stresuese edhe tek personat që nuk frekuentojnë shërbimet mjekësore, e lëre më ata që vijnë për të bërë kontrolle mjekësore.

Si e gjykoni situatën duke e parë nga afër?

Në shikim të parë, nëse populli do i përmbahej rekomandimeve nga Ministria e Shëndetësisë dhe organet relevante, situata nuk do të duhej të ishte alarmante. Por duke marrë parasysh mënyrën e përhapjes përmes kontakteve, duke marrë parasysh frekuentimet publike, duke marrë parasysh neglizhimin e mbajtjes së distancës sociale, atëherë ky mosrespektim i këtyre premisave të vendosura, na lejon që të kemi një dozë shqetësimi.

Mjek në kufi për të kontrolluar udhëtarët

Në momentin kur populli respekton rekomandimet nga MSH dhe qeverive përkatëse të shteteve tona, atëherë kjo pandemi do kalojë shumë shpejt dhe pa pasoja të rënda.

Duhet të mos harrohet fakti, se respektimi i rregullave nuk është dhe nuk ka qenë kurrë i vështirë, sepse historiikisht populli Shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, kanë qenë të shtypur, njëri nga komunizmi e tjetri nga pushtimet e huaja, atëherë i bie se qëndrimi në shtëpi në këtë kohë krize, jo që ëshë detyrim, por duhet të merret si obligim qytetar.

Mund të na tregoni ndonjë histori nga puna juaj e përditshme e këtyre ditëve që ju ka mbetur në mendje?

Ajo që më ka mbetur në mendje, ështe rasti i një personi të moshës 12 vjeçare, i cili duke lozur kishte lënduar këmbën, dhe ai duke parë pa pushim mediet e kishte fiksuar në mendje dhe e kishte regjistruar frikën nga një virus i quajtur Korona që shkakton vdekje.

Ai më përgjërohej: të lutem mos ma fshihni, a jam me Koronavirus, a e ka kemba ime nga Virusi, a do vdes?

Ishte rast i cili akoma nuk më shqitet nga mendja dhe më rri akoma para syve fytyra e tij e padjallëzuar.

Kjo është papërgjegjshmëri e prindërve, të cilët i ekspozojnë fëmijët e tyre pa kontroll para medieve.

Doktor Ilir Havolli

Shoqata e Psikologëve të Kosovës e Shqipërisë po ju vjen në ndihmë njerëzve falas në këto ditë të rënduara psikologjikisht.-A janë afruar këto ditë njerëz për ndihmë?

Dy shoqata respektive Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë, që veprojnë në dy shtetet shqipfolëse sipas një statusi unik, por sipas ligjeve të shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë, këto ditë kanë formuar ekipin e psikologëve nga dy vendet për t’ju ofruar ndihmë psikologjike të gjithë personave potencial që kanë nevojë për këshillime online, si pasojë e situatës së krijuar.

Duhet potencuar fakti se përkundër orarit të prolonguar për këshillime, nga ora 10:00 deri 17:00, këta psikologë tanimë kane rritur altruizmin e tyre duke bërë një punë online për çdo person me ëhatsapp, viber, skype, facebook, email apo telefon, në orar të tejzgjatur 12 deri 14 orë brenda ditës.

Vlen të potencohet konfidencialiteti dhe privatësia që mbizotëron, që ne si ShoPsiKo e kemi mbjellur tek strukturat tona dhe që anëtarët tanë e kanë përqafuar me motiv dhe profesionalizëm duke na ndihmuar kështu që ti përmbahemi parimeve dhe misioneve të ShoPsiKo në Kosovë dhe në Shqipëri.

Brenda ditës ofrohen deri 40 persona për ndihma psikologjike.

Si është raporti femra/ meshkuj?

Shumica e personave që marrin këshillime psikologjike janë të gjinisë femërore. Ndryshe, thënë në përqindje, 70% janë të gjinisë femërore, ndersa 30% të gjnisë mashkullore.

Grupmosha?

Mosha e tyre varion nga 20 deri 50 vjeç.

Çfarë shqetësimesh kanë përcjellë?

Kryesisht shqetësimet që përcjellin janë: stres, frikë, ankth si dhe pasiguri nga situata e krijuar.

Çfarë këshilloni në këtë situatë për të rriturit teksa janë të izoluar?

Për të rriturit këshillohet që këtë kohë ta marrin, jo si kohë të detyrueshme për të qendruar në shtëpi, por si kohë që ka qenë e nevojshme për të qendruar me familjen, për të krijuar stil të ri jetese, për të reflektuar se si njeriu si qenie sociale, do të mund të kontribuonte që bota të ishte më ndryshe, më e sigurt për njerëzimin. Ka shume kohë që familjet nuk kanë qenë më të bashkuara, ka ndoshta shumë kohë kur familjet nuk janë ulur sëbashku në tryezë për ushqim, ka shumë kohë që ndoshta prindërit nuk kanë pasur kohë ta kenë në krahë dhe ti japin përqafim femijës së tyre, sepse ka qenë i angazhuar pas punës,  ka shumë kohë që ndoshta nuk kanë shkëmbyer mes vete një “mirëmëngjes” apo një “natën e mirë”.

Fundja, jemi në  paqe, jemi të sigurt të dalim në oborrin tonë, në ballkonin tonë, të rrimë pa frikë në dhomën tonë, andaj pse të merret kjo situatë si “izolim’.  Jo, kjo fjala “izolim” do duhej të zëvendësohej me pushim në familje, të merren me planifikime të pushimeve, të punëve të papërfunduara rreth shtëpisë, thjesht une do thoja, që ata që janë në shtëpi janë “heronjtë taëe”, sepse nëse ata vazhdojnë të respektojnë rregullat e qendrimit në shtëpi, ata na mundësojnë që të gjithe të jemi “Heronj” dhe tia dalim përballë kësaj sfide që na është vënë përballë.

Fundja, sfidat janë për njerëzit.

Si mund ta përballojë psikologjikisht mosha e tretë e veçanërisht fëmijët këtë periudhë?

Për moshën e tretë:-Ankthi që përjetojmë shpesh krijon skenaret më të frikshme dhe tmerruese. Të identifikosh ç’ka është reale dhe joreale është shumë e rëndësishme. Mendimet irracionale që vijnë si shtiza në kokat tona janë vetëm përjetim i ankthit, kalkulo çfarë ka mundësi të ndodhë më tepër e çfarë jo. Koronavirus është virus që ka shkaktuar vdekje duke marrë shifra nga mediat nonstop, e në fakt njerëzit janë më të rrezikuar të humbasin jetën në aksidentet e trafikut sesa nga Koronavirusi. Ne si njerëz jemi të programuar të kemi reagime joadekuate ndaj gjërave që vijnë shpejt dhe befasishëm, sidomos kur nuk janë nën kontrollin tonë.Mendimet ndoshta janë vështirë të menaxhohen, por sjelljet tona mund ti kontrollojmë e këto të fundit kanë impakt të ndryshojnë edhe formën e të menduarit. P.sh., nëse rrjetet sociale dhe teknologjia janë stresuese, evitoji ose përdori vetëm për kontakte me njerëz, për të shikuar filma ose TV shoë, për të dëgjuar muzikë ose lexuar gjëra nga profesioni juaj. Krijo aktivitete ditore që përfshinë shpërqendrimin e vëmendjes nga shkrimet dhe lajmet e panikut. Mos diskuto tema në lidhje me virusin në shtëpi, fjalët kanë peshë të madhe, sa më shumë që evitoni diskutimet për Koronavitus, aq më lehtë do e luftoni (mund të diskutoni me ndonjë profesionisht të shëndetit mendor në rastet kur frika juaj tashmë ka ndryshuar rutinën dhe aktivitetet ditore). Patjetër që edhe shkëputje totale nuk është e shëndetshme të pësojmë, merrni ato informacione nga mediet dhe teknologjia që keni nevojë çdo ditë, por jo duke e ekspozuar vetën orë e çast për lajmet e fundit.

Ndërsa për fëmijët këshillohet që të kemi kujdes si u drejtohemi për virusin. Fakti që të gjithë duhet të kemi kujdes mbi higjienën për parandalimin e virusit, nuk do të thotë se duhet ta diskutojmë para fëmijëve se si virusi po shpërndahet nëpër botë dhe vret njerëz. Mundohuni që në këtë periudhë ti krijoni fëmijës shprehi higjienike. P.sh. drejtojuni atyre se duhet të kenë kujdes nga një grip (quajeni virusin grip është term më i kuptueshëm dhe i butë për ta kuptuar ata) dhe se duhet të pastrojnë duart sa herë të jenë në kontakt me objektet shkollore, lojërat në parqe, të mos afrohen ndaj njerëzve që kolliten ose që vërejnë se janë të sëmurë. Preferohet që në ketë periudhëë të keni kujdes se ku dhe si ekspozoni fëmijët dhe veten gjithashtu. Evitoni eventet sociale, vendet e ekspozuara publike. Por mos i diskutoni me fëmijët për rrezikshmërinë qëpërmbajnëeventetqë i sjellin kënaqësi fëmijës, kjo mund ta dekurajojë dhe frikësojë atë, sepse vendet ku ata ndjejnë kënaqësi, tashmë janë të rrezikshme. Thjesht kërkesat e fëmijëve kanalizojini në akvitiete shtëpiake, luani me ta, diskutoni për gjërat që iu pëlqejnë atyre, kjo do ju ndihmojë edhe juve edhe fëmijës për të shpërqendruar vëmendjen nga lajmet që lexojmë nëpër rrjetet sociale.

Po për të ushqyerit? Se nga stresi i të qëndruarit në shtëpi, njerëzit kanë prirje të hanë më shumë, çfarë këshilloni në këtë drejtim?

Ushqimi ka shumë rëndësi në këtë kohë. Duhet të ushqehemi mirë dhe shëndetshëm sepse jo vetëm që do kemi sistem imunitar më të mirë, por do të jemi më të qetësuar, relaksuar dhe të shëndetshëm. Evitoni ushqimet ekstreme dhe sheqernat e tepërta.

Ndryshe nëse nga stresi vazhdojmë të hamë shumë, atëherë do ishte mirë të bëhej aktivitet fizik, ani pse dikush aktivitetet fizike i merr si shëtitje në parqe, apo fitnes, por jo,-- në këtë rast aktivitetet fizike nënkuptojnë që ato të modifikohen në kushtet e shtëpisë.

Përpos kësaj ka edhe teknika të tjera që ndihmojnë në lirimin nga stresi dhe rritjen e disponimit, e ato janë teknika Mindfules, pastaj teknika e relaksimit, teknika e frymëmarrjes, etj.

Për cilëndoqoftë nga teknikat dhe mënyrat e përballimit dhe menaxhimit të stresit, frikës, ankthit të krijuar nga situata në të cilën ndodhemi, ju lutem mos hezitoni të kontaktoni profesionistët e shëndetit mendor tek lista e publikuar nga Shoqata e Psikologëve të Kosovës dhe Shoqata e Psikologëve të Shqipërisë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë