Ngjarje

Covid-19/ Italia mbyll kufijtë me Shqipërinë deri në 15 dhjetor, por jo me Kosovën. Cilat udhëtime do të lejohen

Italia ka ashpërsuar masat për qytetarët shqiptarë, duke vendosur mbylljen e kufijve si pasojë e rritjes së numrit të rasteve të reja me Covid 19.

Sipas mediave italiane, Shqipëria del nga lista D e Ministrisë italiane të Shëndetësisë sa u takon vendeve të sigurta dhe hyn në listën E dhe ky vendim do të hyjë në fuqi prej datës 26 tetor 2021 (nesër) deri në 15 dhjetor 2021.

Mësohet se hyrja nga vendi ynë drejt Italisë dhe e personave që kanë udhëtuar gjatë 14 ditëve të fundit në Shqipëri, do të bëhet vetëm për motive  pune, shëndeti, studimi,  urgjencë absolute apo rikthim në banesën e rezidencës. Që do të thotë se nuk ka më vizita turistike.

Dekreti i ri, i publikuar në fletoren zyrtare dhe i cituar nga shtypi italian, nënkupton se automatikisht Shqipëria, nga lista D e vendeve që lejon lëvizjen  e qytetarëve të kalojnë duke prezantuar një tampon, me vendimin e ri, hyn në listën e vendeve E, që nënkupton se hyrja në territorin italian do të bëhet vetëm për motive të caktuara.

Ministria italiane e Shëndetësisë i ka ndarë vendet nga të cilat mund të udhëtosh dhe prej të cilave mund të hysh në Itali, në 5 zona: Zona A, Zona B, Zona C, Zona D dhe Zona E. Siç edhe mund të kuptohet Zona E (lexo këtu kriteret për vendet e Zonës E) është lista më e pasigurtë e vendeve për Covid-19. Nga Italia drejt këtyre vendeve mund të udhëtosh vetëm për arsye pune, arsye shëndetësore, studime dhe urgjencë të pashmangshme. Ndërsa për të hyrë nga vendet e Zonës E në Itali, kërkohen të gjitha testet, apo pasaporta e gjelbër, që nuk je i prekur nga Covid-19. Gjithashtu është e nevojshme edhe karantina.

Por nëse për Shqipërinë janë ashpërsuar masat për shkak të rritjes së infektimeve me koronavirus, për Kosovën nuk do të aplikohet një masë e tillë.

Kosova ka pasur një ulje të ndjeshme në javët e fundit të numrit të vdekjeve dhe rasteve të reja me Covid 19, ndaj Italia e ka hequr nga lista e vendeve “problematike”.

Të njëjtin fat si Shqipëria, do të kenë edhe vendet e tjera të Ballkanit, si Bosnjë Hercegovina, Serbia, Maqedonia e Veriut, por edhe shtete si Armenia, Azerbajxhani dhe Brunei.

Përjashtim është bërë vetëm për qytetarët e Izraelit, të cilët mund të udhëtojnë drejt Italisë nëse paraqesin ‘Green Pass’-in ose tamponin negativ për Covid 19.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë