Para

Covid-19/ Bankat nuk do të shpërndajnë fitimet deri në muajin qershor

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë gjatë mbledhjes së një dite më parë (të mërkurën) ndër të tjera vendosi “Për pezullimin e shpërndarjes së fitimit nga bankat” deri në fund të muajit qershor 2020.

Pezullimi përfshin shpërndarjen nga ana e bankave, të fitimit të bartur nga periudhat e mëparshme, të fitimit të realizuar në vitin 2019 si dhe të fitimit që do të realizohet përgjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2020.

Banka e Shqipërisë sqaron se, kjo masë e autoritetit mbikëqyrës, synon të sigurojë mbështetje për bankat, kryesisht nëpërmjet rritjes së aftësisë së tyre për të përthithur humbjet e mundshme potenciale dhe për të mbështetur kredidhënien për klientët individë dhe biznese gjatë kësaj periudhe.

Po ashtu Këshilli Mbikqyrës vendosi të heq komisionet e aplikuara nga bankat për transfertat e kreditit në lekë, formë jo letër nga klientët e tyre, si dhe të tarifave për pjesëmarrësit në sistemet e pagesave AIPS dhe AECH të operuara nga Banka e Shqipërisë”, duke filluar nga data 10 prill 2020 me qëllim që të lehtësojë klientët nga kostot dhe gjithashtu të mimimizojë rreziqet nga grumbullimi i popullatës në degët e bankave. Më konkretisht, sqaron BSH, ky vendim synon të bëjë më tërheqës përdorimin e shërbimeve Homebanking nëpërmjet eliminimit të kostove të këtij shërbimi.

Njëkohësisht, Banka e Shqipërisë eleminon komisionet e aplikuara për përdorimin e sistemeve të pagesave të Bankës së Shqipërisë nga ana e bankave për të balancuar kostot e bartura prej tyre.

Gjatë mbledhjes së të mërkurës, Banka Qendrore vendosi që edhe ajo ti bashkohet nismës së Kuvendit duke ulur me 50% honoraret e anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës dhe pagave të Administratorëve e Drejtorëve të Bankës së Shqipërisë, për periudhën e zgjatjes së epidemisë së koronavirusit, në shenjë solidariteti me qytetarët dhe bizneset e prekura.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë