Shendet

Covid-19, a funksionon vaksina nëse një person s’ka temperaturë pas dozës së parë ose të dytë?

Jo të gjithë njerëzit reagojnë në të njëjtën mënyrë ndaj imunizimit të Covid 19. Kategoria e personave të moshuar, janë më pak të ndjeshëm ndaj efekteve anësore sesa gratë dhe të rinjtë. Dhimbja e krahut është reagimi lokal inflamator

1.A është vaksina Covid-19 më pak e efektshme nëse nuk shfaqen efekte anësore?

Efektet anësore të vaksinës, si temperaturë, dhimbja e kokës, dhimbje në vendin e injeksionit, dhimbja e muskujve dhe kyçeve, të përzierat dhe të vjellat, janë të lidhura drejtpërdrejt me përgjigjen imune ndaj vaksinës. Sidoqoftë, besimi është përhapur gabimisht, se sa më shumë nuk ndiheni mirë pas injeksionit, aq më efektive është vaksina. Edhe pse efektet anësore janë provë se sistemi imunitar po aktivizohet, nuk është aspak e sigurt që të gjithë janë të sëmurë, pasi të marrin vaksinën. Është e mundur të merret një përgjigje imune efektive, pa efekte anësore të dukshme.

2.Pse nuk reagojnë të gjithë në të njëjtën mënyrë?

Përgjigjet imune, mund të ndryshojnë dhe të ndikohen nga mosha, seksi, gjendja shëndetësore dhe gjithashtu nga doza që merret (më e shpeshtë pas dozës së dytë te vaksinat e mARN dhe pas dozës së parë të AstraZeneca). Çdo person shfaq një përgjigje të ndryshme imune, por efektiviteti i vaksinave nuk varet prej tyre. Në studimin klinik të vaksinës “Pfizer”, u zbulua se ishte 95% efektive kundër sëmundjes tek ata që e morën atë, pavarësisht nga mosha, seksi, përkatësia etnike. Sidoqoftë, vetëm gjysma e vullnetarëve raportuan reagime anësore, si dhimbje të muskujve, lodhje, temperaturë.

3.Tek kush janë efektet anësore më të mëdha?

Në përgjithësi, popullata e moshuar, raporton më pak efekte anësore sesa moshat e reja dhe gratë kanë tendencë të zhvillojnë përgjigje më të forta imunitare sesa burrat.

4.Pse dhemb krahu?

Kur vaksina injektohet në krah, trupi e konsideron atë si një kërcënim dhe vendos mbrojtjen. E para është një reagim inflamator lokal dhe është arsyeja pse mund të ndihet dhimbje ose ënjtje. Ndonjëherë dhimbja e krahut shoqërohet me ënjtje të nyjeve limfatike në zonën e sqetullës.

5.A duhet të shqetësohemi për temperaturën?

Inflamacioni mund të mos jetë i kufizuar në krah, në vendin e injektimit dhe të përhapet në pjesë të tjera të trupit, duke shkaktuar në radhë të parë një rritje të temperaturës dhe dhimbje të përhapur. Shfaqja e temperaturës, konfirmon që trupi po zhvillon mbrojtjen e tij imune kundër virusit. Temperatura zakonisht fillon të rritet brenda 24 orëve nga vaksinimi, më rrallë pas 48 orëve dhe zakonisht zgjat jo më shumë se dy ditë.

6.A mund të dilni pozitiv me Covid pas vaksinimit?

Duke parë që vaksinat nuk përmbajnë koronavirus, nuk është e mundur të kontraktohet Covid-19 ose të testoheni pozitivisht me tampon për shkak të imunizimit. Vaksinat përmbajnë ose, në rastin e vaksinave mARN, induktojnë prodhimin e pjesëve shumë të vogla të virusit, por këto nuk zbulohen nga testet. Për më tepër, përgjigja imune e shkaktuar nga vaksinimi, është lokalisht e kufizuar në krah. Asnjë përbërës i vaksinës nuk mund të migrojë nga krahu në hundë ose fyt (aty ku bëhet tamponi anti-Covid).

Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë