Treg

Conad reagon për akuzat se produktet që shet kanë skandencën e fshirë

Rrjeti i supermarketeve Conad në Shqipëri, ka përgënjeshtruar lajmet që kanë qarkulluar pas postimit të një qytetari, se në dyqanet e tij tregtohen mallra të skaduara.

Në një njoftim për mediat, Conad ka kërkuar që të ndalen sipas saj traktet mercenariste kundër biznesit dhe ka bërë me dije se mbështet çdo lloj investigimi mediatik dhe jo vetëm, në shërbim të kontrollit mbi cilësinë e produkteve ushqimore që hidhen në treg.

“Bëhet fjalë për një sajesë kryekëput, për qëllime qartësisht dashakeqe, në dëm të rrjetit të supermarketeve Conad. Qëllimi i atij që e ka shkruar është një tjetër histori. Por ajo që të habit është fakti se si një seri faqesh apo “media” online, e marrin këtë postim dhe e shndërrojnë në lajm, e publikojnë, pa tentuar të bëjnë edhe verifikimin më të vogël".

Conad, sqaron në njoftimin e tij se “qytetari, një person publik, në postimin e tij në rrjete sociale ngre pretendimin se në ambalazhimin e produktit kërpudha të freskëta, etiketa e vendosur në gjuhën shqipe nga ana jonë ishte vendosur mbi atë italiane, duke fshehur, sipas tij, datën e skadencës në italisht. Dhe mbi këtë insinuatë, ai ngre një furtunë sulmesh ndaj cilësisë së të gjitha produkteve që tregton rrjeti Conad”.

Duke iu referuar rastit konkret, cilësisë së produktit, Conad bën me dije se “kërpudhave të freskëta, ashtu si domateve, portokalleve, bananeve apo mollëve, sipas ligjit europian nuk u vihet datë skadence në etiketë. Vetëm me kaq mund të ishte zbuluar e vërteta e akuzave”.

Rrjeti i supermarketeve italiane, shpjegon se gjithçka është pjesë e një lufte të shëmtuar për terren tregtar mes konkurrentëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë