Katar 2022

CNN zbulon prapaskenën: Irani kërcënoi familjet e lojtarëve që të këndonin himnin

Gazeta Si – Familjet e lojtarëve të Iranit ‘janë kërcënuar me arrestim dhe tortura, nëse lojtarët nuk silleshin mirë para ndeshjes me Uellsin. Zbulimi vjen nga CNN, që i referohet një burimi që është pjesë e sigurisë së Botërorit.

Pas refuzimit të futbollistëve iranianë për të kënduar himnin në ndeshjen e parë ndaj Anglisë më 21 nëntor, burimi bën me dije se lojtarët janë thirrur në një takim me pjesëtarët e trupit të rojeve revolucionare iraniane.

Ekipi i Iranit para një ndeshjeje. Gazeta Si, 29 nëntor 2022

Në atë takim lojtarëve u është thënë se familjet e tyre do të përballeshin me "dhunë dhe tortura", nëse nuk do të këndonin himnin kombëtar, apo nëse do të merrnin pjesë në çdo lloj proteste politike kundër regjimit të Teheranit.

Lojtarët e kënduan himnin në ndeshjen e dytë ndaj Uellsit të premten që shkoi, kur fituan 2-0. Burimi i cituar nga CNN, që po monitoron nga afër agjencitë e sigurisë iraniane që veprojnë në Katar gjatë periudhës së Kupës së Botës, ka pohuar se dhjetëra pjesëtarë të rojeve revolucionare po survejojnë lojtarët iranianë, të cilët nuk janë të autorizuar të takojnë persona të huaj.

"Ka një numër të madh agjentësh të sigurisë iraniane në Katar, që po mbledhin informacion dhe po monitorojnë lojtarët”, - ka thënë burimi për CNN-në.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë