Treg

Çmimi i vezëve në treg u rrit sërish, 30 lekë më shumë për shkak të gripit të shpendëve

Gripi i shpendëve ka provokuar për herë të dytë një rritje shtesë të çmimit të pulave dhe të vezëve në supermarketet shqiptare.

Në një vëzhgim që Gazetasi.al bëri pasditen e djeshme (23 mars) në disa supermarkete në Tiranë, konstatoi se një vezë e paketuar e cilësisë së parë kushton 44 lekë, ndërsa vezët masive kushtojnë 24 lekë.

“14 kokrra vezë Rea’s u rritën si fillim nga 340 lekë në 430 lekë. Tani, kushtojnë 460 lekë.

Pensionistët po ankohen që për ta veza është kthyer në luks. Por thonë që ka prodhim të ulët vendas nga gripi i shpendëve prandaj u rritën në një kohë kaq të shkurtër”, thotë për Gazetasi.al njëra nga shitëset e Shans Market.

Tregtarët thonë se rritja e parë e çmimeve erdhi sepse u rritën çmimet e bazës ushqimore.

Misri u shtrenjtua nga 37lekë/kg në 58 lekë/kg. Soja ishte 95 lekë/kg ka shkuar 125 lekë/kg ndërsa vaji i sojës (pjesë e bazës ushqimore për pulat) ishte 150 lekë/litër ka shkuar 300 lekë/litër.

“Kjo është një rritje e frikshme për një produkt kaq bazik të shportës që deri para disa ditësh tregtohej me gjysmën e çmimit. Rritja e çmimit të vezës në tregun e hapur përkon me ngordhjen masive të pulave në qarkun e Durrësit si pasojë e infektimit nga gripi i shpendëve.

Ne jemi të detyruar të rrisim çmimet pavarësisht se të gjithë qytetarët po ankohen së fundmi”, thotë për Gazetasi.al Erisa, një tjetër shitëse nga Big Market.

Sipas të dhënave të Eurostat, në krahasim me rajonin Shqipëria ka çmimet më të larta jo vetëm për produktin e vezëve por edhe për qumështin dhe djathin.

Një individ shqiptar shpenzon mesatarisht 267 euro në vit për vezë, qumësht dhe djathë, sipas të dhënave që janë të publikuara në sistemin e të dhënave të Eurostat.

Serbët shpenzojnë për të njëjtat produkte 163 euro, ose 40% më pak. Maqedonia e Veriut shpenzon 198 euro, Mali i Zi 263 euro dhe Bosnjë Hercegovina 249 euro. Të dhënat i referohen vitit 2020, ndërsa Kosova nuk është e përfshirë në këto statistika.

Fermerët të cilët po i rrisin pulat brenda perimetrit të oborrit të tyre, nuk kanë bërë përjashtim nga rritja e çmimeve gjithashtu, duke i tregtuar ato më shtrenjtë se para disa muajsh. Ata thanë para disa ditësh për Gazetasi.al se ka vite që rrisin pulat dhe asnjëherë nuk i janë prekur nga gripi i shpendëve.

Ata theksuan që nuk i shesin më lirë kur prodhimtaria në vatra të tjera po ulet dhe po sëmuret.

Hasan Stafa, kreu i grupeve të kontrollit ka deklaruar se çmimi i vezës është shtrenjtuar 7 herë në 13 ditë si pasojë e falimentimit të dy stabilimenteve në Durrës që zënë 26% të prodhimit të vezëve në rang vendi.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë