Interviste

Çmimet e fiksuara nga qeveria do sjellin pasoja dhe lulëzim të parasë informale

Eksperti fiskalist Eduart Gjokutaj thotë se vendimet e Bordit të Administrimit të Karburanteve dhe Bordit të Transparencës për Çmimet Bazë (për produktet ushqimore) kanë dhënë efektet e para negative ndaj ai është kundër përcaktimit të çmimeve nga qeveria.

“Në një treg vendas të shtrembëruar nga mungesa e konkurrencës, prania e informalitetit dhe ndërhyrjeve të qeverisë qendrore dhe vendore me tarifa dhe pagesa të ndryshme pa u thelluar në efektet që vijnë nga ndërveprimi i elementëve të tregut”.

Ky moment aktual ngjan sikur të jemi në rrethanat e një “…ekonomie të “alkoolizuar” që i kufizohet lëvizja nga bordet e miratuara nga Qeveria, njësoj si polici rrugor që të kontrollon në rrugë për drejtim mjeti në gjendje të dehur…“.

“Efekti parësor që ka dhënë prej pak ditësh me vendimet e tij Bordi për Transparencën e çmimit të karburanteve është ai i kufizimit të xhiros dhe furnizimit me karburant në biznesin e sektorit në jo të njëjtën mënyrë. Pikat e pakicës, të cilat kanë ndërtuar marrëdhënie kontraktore bazuar mbi planet e tyre tashmë vendosen përballë një konkurence edhe më të fortë se më përpara.

Efekti dytësor është se kontrollet e çmimeve do të çojnë në favorizime të bizneseve.

Konkurrenca në treg mund të bëhet edhe më e padrejtë për një segment të caktuar të pikave të tregtimit me pakicë, pasi atyre mund tu përkeqësohet situata financiare, por edhe qarkullimi.

Ndërhyrja në vendimarrjen e biznesit të shitjeve me pakicë dhe shumicë, duke konsideruar një kohëzgjatje jo më shumë se disa mujore të “ngrirjes” së fitimeve do të shkaktojë mungesa dhe ndoshta mund të përkeqësojë problemet e zinxhirit të furnizimit”, thotë Gjokutaj.

Sipas tij, e njëjta ecuri do të ndodhë edhe për tregun e prodhimit dhe tregtimit të produkteve bazike të shportës.

Ky ndikim në fakt nuk do të kufizohet vetëm për këto produkte dhe bizneset që operojnë me to, por do të shtrihet edhe te furnizuesit e tyre, të cilët së bashku do të ndeshen me probleme të  likuiditetit dhe pamundësisë për të paguar në kohë për furnizimet.

Fiskalisti Eduart Gjokutaj thotë se në Shqipëri, qëndrimi ndaj kontrolleve të çmimeve duket të jetë i ngjashëm me vendimmarrjet që kanë deklaruar qeveritë e ndryshme nëpër botë.

“Kontrollet e kufizuara të çmimeve janë të pranishme sot në ekonominë europiane dhe amerikane. Por, ata janë të ndikuar shumë më fuqishëm nga sanksionet që kanë vendosur dhe dimensionet e ekonomive të tyre vuajnë pasoja të një modeli dhe strukture ekonomie që nuk është ende e formuar njësoj në Shqipëri”, thotë Gjokutaj.

Sipas tij, pavarësisht presionit në rritje nga qytetarët shqiptarë, për disa arsye që qeveria nuk ka asnjë ndikim, duhet parë me shumë qetësi dhe me llogaridhënie të detajuara për efektet që do të vijnë prej masave që po shpallen për të minimizuar mbajtjen përgjegjëse të qeverisë për masa që nuk ka zbatuar në kohë apo të plota.

“Në ditët që kemi kaluar dhe ato që do të vijnë duket se gjithë këto masa dhe vendime janë duke presuar fort ndaj familjeve të klasës së mesme që po e ndjejnë dhimbjen e rritjes së çmimeve më shumë se të pasurit.

Megjithatë një ide për të shpërndarë koston e masave frenuese të çmimeve mund të analizohet nga pjesëmarrësit në Borde për kontrollet e çmimeve që për një gamë të gjerë mallrash në Shqipëri tashmë nën këtë kontroll duhet të orientohen jo vetëm duke u vendosur tavan, por edhe një dysheme çmimesh për disa shpenzime që ato bëjnë.

 Në këtë drejtim, një nevojë për vendosje dyshemeje duhet të përfshijë zinxhirin e blerjeve (kostove) në bizneset që u “ngrijnë” fitimet duke aplikuar dysheme çmimi blerje, ose shtyrje në kohë të mëvonshme të pagesave për ata që u shesin atyre mallra dhe shërbime të tjera, si p.sh. qeraja e ambjentit, kostot e energjisë dhe gazit, kostot e tarifave institucionale dhe taksave vendore etj.

Kjo masë kundërvepruese në respekt të “ngrirjes” së fitimeve duhet të vlejë për të mos dekurajuar bizneset të prodhojnë/shesin më pak një produkt, duke synuar në mosprishjen e strukturës aktuale të tregut dhe ekonomisë, ku disa biznese janë të ndrydhur dhe disa të tjerë jo”, u shpreh eksperti Gjokutaj.

Sipas tij, ekonomia shqiptare nuk mund të ndahet në dy grupe biznesesh, pasi vetë ekonomia ndërvepron mes vetes dhe nuk arrin dot të kufizohet kjo marrëdhënie. Por ndërkohë kjo prish balancat e tregut aktual duke favorizuar më të fuqishmit për të rritur ndikimin e tyre në treg, por edhe rrezikun e vërshimit të parasë informale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë