Kombetarja

Çmenduritë e Seferit / Nga sirenat e luftës në Ukrainë, te 2200 km me makinë për kuqezinjtë!

Gazeta Si - Nga vera e vitit të shkuar, Taulant Seferi, golashënuesi i edicionit të shkuar në Superiore, vendosi të sfidojë frikën personale dhe të gjithë opinionit për të shkuar në Ukrainë për të luajtur futboll, pavarësisht luftës që zhvillohet atje.

Dëshira e ukrainasve për të treguar një normalitet brenda një vendi në luftë, për të zhvilluar një kampionat të kufizuar futbolli, u përqafua edhe nga futbollisti i Tiranës asokohe dhe i Kombëtares shqiptare.

Seferi ne kampionatin ukrainas. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Ndeshjet zhvillohen në Kiev dhe në pjesën perëndimore të Ukrainës, aty ku është spostuar edhe ekipi i futbollistit shqiptar, Vorskla Poltava. Mes breshërive të armëve dhe herë pas here ndërprerjes së ndeshjeve nga sirenat e bombardimeve, Taulant Seferi ia doli të jetë pjesë e 28 ndeshjeve në këtë edicion, ku arriti të shënojë 13 gola, ndërsa skuadra e tij të sigurojë pjesëmarrjen në Ligën e Konferencës, pasi e mbylli sezonin në vendin e 5-të.

Por sakrificat e tij me sa duket nuk përfunduan këtu. Prej viti 2019 ai është pjesë e ekipit tonë kombëtar. Nga vera e shkuar, kur e mbylli kampionatit shqiptar me 19 gola, Seferi u pjesë e rregullt e Kombëtares, me të cilën numëron 11 grumbullime, pa llogaritur Moldavinë dhe Ishujt Faroe, që luhen më 17 dhe 20 qershor.

Dëshira për të qenë pjesë dhe kontribuues në objektivin që kemi në këto eliminatore për Europianin “Gjermani 2024”, e ka shtyrë drejt një tjetër çmendurie, të udhëtojë me makinë nga Ukraina deri në Tiranë. Duke u nisur nga Uzhhorod drejt Koshiçes në Sllovaki, për të vazhduar më pas në pas drejt Hungarisë, mes për mes Serbisë, Bullgarisë, Maqedonisë së Veriut, në shtëpinë e tij, dhe në Tiranë. “2200 km dhe 45 orë udhëtim, me një ndalesë prej vetëm 4 orësh për të fjetur, – thekson Seferi. - Pavarësisht se me një makinë luksoze dhe të rehatshme si BMË Seria 7, janë vërtet shumë.”

Taulant Seferi ne konference shtypi. Gazeta Si, 13 qershor 2023

Mbyllja e aeroporteve vendase dhe kufizimet e lëvizjes, së bashku me arsyet personale e detyruan Seferin të ndërmarrë këtë sfidë të rrallë, sfilitëse, por që gjithsesi, siç thotë edhe ai vetë për Gazetën Si, për Kombëtaren ia vlen çdo sakrificë.

Ai ka mbërritur prej 4 ditësh në kryeqytet, ku i është bashkuar grupit të lojtarëve nën urdhrat e trajnerit Silvinjo, me përkushtimin dhe dëshirën për të bërë sa më mirë, pasi reparti i sulmit këtë herë është i mbipopulluar. Seferi, me 13 golat e tij, sfidohet vetëm nga Uzuni me 22 gola në Ligën B spanjolle, ndërkohë që më i avantazhuar se ai mbetet edhe Cikalleshi, falë eksperiencës dhe formës së mire që mbylli kampionatin në Arabinë Saudite. Kandidat të tjerë në repartin e avancuar të kuqezinjëve janë Armando Sadiku, Ernest Muçi dhe Jasis Asani.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë