Moti

Ciklon në Detin Jon për 3 ditët e ardhshme, kujdes për ata që udhëtojnë drejt Italisë së Jugut dhe Greqisë

Kush ka ndërmend që të udhëtojë në rrugë detare drejt Italisë së Jugut apo Greqisë, duhet të mendohet dy herë ose t’i shtyjë planet e udhëtimit për tre ditët e ardhshme. Sepse Drejtoria e Përgjithshme Detare në Durrës ka njoftuar për përkeqësim të motit në pjesën veriore të detit Jon.

“Si rezultat i krijimit të një cikloni, me erëra të fuqishme dhe reshje shiu, nga mbrëmja e datës 16 shtator deri më 19 shtator 2020 moti në zonën e Detit Jon në veri do të përkeqësohet. Moti i përkeqësuar në jug të Italisë do të vazhdojë në drejtim të lindjes më konkretisht në zonën e Greqisë. Këto zona do të përfshihen nga era me shpejtësi deri në 60 milje në orë ku lartësia e dallgës së detit arrin në 5.5 metra dhe periudha 8 sek. Ditën e premte dhe të shtunë vendi ynë do të përfshihet nga era me drejtim veri, veri-perëndim, veri-lindje”, thuhet në njoftimin e Drejtorisë Detare Durrës.

Megjithëse flitet për një ciklon në detin Mesdhe, qendra e tij është larg vendit tonë.  Parashikimet  e sinoptikanës së gazetës “Si” tregojnë se në Jug posaçërisht  në qytetin  e Sarandës pas orës 12 deri në 18:00 të së enjtes periferia e ciklonit do të prek brigjet e qytetit por era nuk do të jetë e  fortë. Ky ciklon do të ndryshojë kushtet e motit në të gjithë vendin.  Në Jug do të ketë vranësira dhe  reshje të pakta shiu. Temperaturat do të jenë më tendencë rënie në mesditë .


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë