Futboll

Cikalleshi: Ju tregoj Arabinë, Ronaldon dhe gjithçka për vendin me futboll të çuditshëm

Gushtin e shkuar të gjithë shqyen sytë kur mësuan lajmin se sulmuesi kryesor kuqezi, Sokol Cikalleshi, vendosi të transferohej në formë huazimi në Arabinë Saudite. Ai kaloi nga klubi turk i Koniasporit tek Al Khalej.

Pas më shumë se 7 vitesh në Turqi, sulmuesi kavajas bëri këtë zgjedhje dhe sigurisht që një plus për të ishte edhe paga e dyfishuar prej rreth 1.3 milionë eurosh në vit.

Të njëjtin reagim patën të gjithë kur mësuan se edhe 5 herë fituesi i ‘Topit të Artë’, Kristiano Ronaldo, nga Mançester Junajtid u transferua drejt të njëjtit kampionat, tek Al Nasr. Skuadra e portugezit, ndryshe nga ajo e sulmuesit shqiptar që lufton për mbijetesë, është në garë për titullin kampion. Edhe pse përfliten shumë gjëra, padyshim që 200 milionë eurot në vit për Ronaldon ishin goxha tundim.

Cikalleshi gjatë një ndeshjeje në Arabi. Gazeta Si, 1 maj 2023

Cikalleshi është në muajin e fundit të kontratës pas një sezoni të plotë, kurse Ronaldo ka edhe 2 vite të tjera. Dy sulmuesit me një historik dhe karrierë të ndryshme për nga arritjet, i ndajnë vetëm 2 gola. Pas dygolëshit të fundit që shënoi në fundjavë, kavajasi u ngjit në kuotën e 10 golave, kundrejt 12 të Kristiano Ronaldos.

Të gjithë prisnin shumë më shumë nga portugezi, por ja që gjërat nuk janë të thjeshta, siç na tregon edhe Sokol Cikalleshi në këtë intervistë ekskluzive për Gazetën Si.

“Kampionati është i vështirë në Arabinë Saudite, - thotë sulmuesi, - edhe pse ka një përshtypje tjetër. Sot që flasim, një nga arsyet e kësaj vështirësie është numri i të huajve që lejohen në fushë. Aktualisht lejohen 7 lojtarë të huaj në lojë, një zgjidhje që ka gjetur federata për të rritur kualitetin e kompeticionit, pasi dikur luanin vetëm tre të huaj si rregull.

Që kur ka ardhur Princi në krye ka ndryshuar kjo gjë. Vitin tjetër do të bëhet me 8 të huaj. Gjithashtu, përshtatja do kohën e saj, ky është një kampionat fizik edhe nuk është e thjeshtë. Sigurisht, Kristiano është mësuar të ketë lojtarë me shumë kualitet rreth vetes te klubet ku ka luajtur, por këtu nuk janë në atë nivel.”

Pse si janë lojtarët vendas?
Futbolli vendas nuk është se është më i miri i mundshëm dhe për këtë arsye numri i të huajve në fushë po shtohet. Po të ishin shumë lojtarë arabë në fushë, niveli do të ishte më i dobët. Prandaj edhe drejtuesit e federatës arabe e rrisin numrin e të huajve, duke shtuar elementët me nivel në kampionatin e tyre.

Cikalleshi feston një gol në kampionatin arab. gazeta Si, 1 maj 2023

Ekipi huaj, Al Khalej, vjen nga Kategoria e Parë në Superligën arabe dhe aktualisht rrezikon rënien. Si është ky ekip?
Ekipi im vjen nga Kategoria e Parë dhe nuk është se ka bërë blerje lojtarësh vendës, dy janë të huazuar nga ekipe të ndryshme në Arabi, por niveli nuk është ai që pritet. Duke qenë se kampionati është i fortë dhe ekipi im kishte 5 vite që nuk ishte ngjitur në Superligë, është e vështirë. Dhe ky i pari është viti më i vështirë. Uroj shumë që të qëndrojmë në ligë, edhe 6 ndeshje kanë mbetur dhe të gjitha do të luhen brenda muajit maj.

Për Arabinë flitet vetëm për të pasur dhe se ka para kudo. Vërtetë është kaq i pasur ky vend në perceptimin e jetesës së përditshme?
Po edhe këtu, si kudo, ka shtresa të ndryshme njerëzish: të pasur, të mesëm dhe të varfër. Që kur erdhi Princi në krye i ka dhënë shumë dorë futbollit. Paratë e futbollit vijnë nga qeveria dhe janë të sigurta, nuk ka probleme me vonesat apo që të mos i marrësh për të përfunduar në gjyqe të FIFA-s, si në vende të tjera.

Pra si ju, ashtu edhe Ronaldo, paguheni nga qeveria arabe?
Mund të them që po. Thjesht presidentët në klubet tona janë drejtues të zgjedhur nga një bord për të drejtuar ekipet, por investimet vijnë nga federata e futbollit, apo më mirë të them nga qeveria, që nga koha kur drejtimin e ka marrë Princi.

Ardhja e Ronaldos ka pasur ndonjë ndikim në ambientin tuaj futbollistik?
E ka rritur shumë shikueshmërinë e kampionatit, pritet që të vijë edhe Mesi vitin tjetër dhe do të jetë edhe një bum tjetër. Shikueshmëria dhe rëndësia e kampionatit do të kalonte në nivel më të lartë. E gjithë kjo bëhet për synimin që kanë për të zhvilluar Botërorin e vitit 2030.

Sipas jush, përse nuk po funksionon Ronaldo?
Duke qenë futbollist vetë dhe duke ja ditur mentalitetin pak a shumë, shokët e tij të skuadrës duhet të jenë paksa më të hapur për t’i pranuar kritikat e tij. Po flas në lidhje me ato që ai i shpjegon gjatë lojës, por edhe në stërvitje, pasi këshillat e tij janë të vlefshme për të gjithë nisur nga eksperienca që ka. Duhet parë si do shkojë vazhdimi, sa ata do të mund të përthithin nga ato që ai i këshillon. Ata duhet ta ndjekin atë, pasi ai duhet të jetë lideri i ekipit dhe vetëm ashtu mund të funksionojë.

Si është jeta e përditshme atje, një vend i ndryshëm nga Europa?
Kultura është e ndryshme dhe jeta sociale është ndryshe, por qyteti është shumë i mirë, ashtu si edhe vendbanimi, më i miri që kam jetuar deri më sot. Këtu e ndjen veten ndryshe nga të tjerët dhe kjo të bën të jesh i izoluar. Sigurisht, edhe profesioni nuk të lë të bësh gjëra të shumta, por edhe familja. Gjithsesi, jetesa është cilësore, por në thelb jemi ndryshe, në kulturë në sjellje në shumë gjëra.

Çfarë është gjëja që të ka bërë më tepër përshtypje?
Qyteti është shumë i shtrirë, rrugët janë shumë të mëdha, vendet janë shumë larg nga njëra-tjetra. Ka vende të bukura, unë jam me fat se jam në Damam, një nga ‘top 3’ qytetet e Arabisë. Kur erdha në fillim mbaj mend më kishin dhuruar një varëse me kokën e Skënderbeut, të cilën e mbaja zakonisht. Duke hyrë në një qendër tregtare roja te dera më ndaloi dhe më tha ta heq ose ta fus brenda, pasi këtu për shkak të fesë nuk lejohen të mbash ikona të tilla të dukshme.

Cikalleshi feston një gol me Kombëtaren. Gazeta Si, 1 maj 2023

Futbollistët në Europë përfshihen shpesh në skandal klubesh nate, femrash apo alkooli. Po atje?
Këtu jemi “out” nga kjo pjesë. Bëhen apo jo nuk e di, por nuk ka klube nate të paktën nuk duken, kam dëgjuar që në Riad, si kryeqytet, është çdo gjë më lirshëm. Këtu ku jam unë jo, të paktën unë nuk kam parë. Edhe mund të ketë.

Po alkooli?
Alkooli nuk shihet askund, mund ta gjesh në mënyra ilegale me shoqëri, ndërkohë restorantet janë shumë të mira, por pa alkool. Edhe festat i bëjmë me pije freskuese.

Sa të rrepta janë rregullat në një vend mysliman tërësisht dhe shumë besimtar. E ke ndjerë vetën ndonjëherë të kushtëzuar nga kjo gjë?
Jo fare. Më përpara siç më thonë shokët që kam këtu nga Arabia, ishte shumë strikte çdo gjë. Kur vinin kohët e namazit (koha e faljes), çdo gjë ndalonte tërësisht, 10-15 minuta çdo dyqan mbyllej në 5 oraret e faljes. Nuk mund të shkoje për të blerë asgjë në atë orar, por u bë 4-5 vite që kjo gjë ka ndryshuar dhe Princi u ka dhënë shumë hapësira edhe femrave sot. Ato drejtojnë makinën, vijnë në stadiume, me të shkurtra mund të vishesh. Unë nuk kam pasur asnjë lloj kufizimi në kuptimin e ndalesës fetare, pasi jam edhe vetë mysliman.

Kohët e fundit flitet shumë për pakënaqësitë e Ronaldos me bashkëshorten e tij, për të cilën thuhet se rri vetëm në qendra tregtare. Ju e keni familjen atje, bashkëshorten, çfarë ndodh me të?
Këtu e kam edhe familjen, bashkëshortja ka 3-4 muaj që ka ardhur. Në Riad jeta është më e hapur, shumë ndryshe nga vendet e tjera këtu në Arabi. Është një qytet i jashtëzakonshëm, pjesa tjetër varet se çfarë kërkon më pas. Sigurisht nuk është tamam si në Europë, se një lloj kodi veshjeje duhet ta kesh, nuk mund ta ekzagjerosh, por gjithsesi nuk është me detyrim as të mbulohesh.

Edhe sa kohë do të qëndroni atje?
Në fund të muajit mbaroj kontratën dhe do të kthehem në Turqi, te klubi im Koniaspor. Por për momentin jam i fokusuar ta mbyll kampionatin dhe të arrijmë objektivin për të qëndruar në ligë. Megjithatë, kjo varet nga performanca.

Si e mendoni të ardhmen do të qëndroni akoma në Arabinë Saudite?
Është herët akoma për të menduar këtë gjë, nuk kam oferta për momentin, por jam i luhatur shpesh kur mendoj që mund të vazhdoj këtu, pasi është shumë e vështirë për familjen, jeta sociale, je i shkëputur shumë nga Shqipëria, ndërkohë ndeshjet kanë vështirësitë e tyre. Udhëtimet me ekipin zgjasin çdo javë me 2 avionë gjithmonë për të shkuar nga qyteti në qytet dhe për t’u kthyer. Pra, nga njëra anë karriera dhe nga ana tjetër duhet të mendoj për familjen. Megjithatë do ta mendoj mirë gjatë verës.

Keni ndonjë plan se si do të vazhdojë karriera juaj dhe për sa kohë, këtë vit mbushni 33 vjeç?
Nuk do të luaj edhe për shumë vite, sepse dua t’i përkushtohem familjes. Por duke qenë se fizikisht jam mirë dhe kontratën e kam deri në vitin 2024 me skuadrën e Konias në Turqi, besoj do ta respektojë atë. Nuk besoj se do të luaj më tepër se edhe dy vite ndoshta.

Sokol Cikalleshi me fanellën e Kombëtares. Gazeta Si, 1 maj 2023

Së fundmi, dy fjalë për trajnerin e ri të Kombëtares, Silvinjon. Si ishte takimi juaj i parë dhe ndeshja e parë çfarë përshtypje ju la?
Suivinjo është një trajner energjik dhe i ka idetë e qarta çfarë kërkon nga vetja dhe nga ne lojtarët e Kombëtares. Besoj se falë punës së tij, lojtarëve, tifozëve dhe federatës, sepse e ndjejmë veten që jemi një, mund t’ia dalim për të arritur atë objektiv që e kemi të gjithë, të përsëritim kualifikimin në Europian.

Si i sheh dy ndeshjet e radhës, në letër me kundërshtarë më të dobët se ne, si Moldavia dhe Ishujt Faroe?
Na duhet patjetër t’i fitojmë këto dy ndeshje, pasi vërtet ata në letër janë kundërshtarë më të dobët se ne. Megjithatë, historia ka treguar se ne pikërisht me skuadra të tilla që duken më të dobëta, kemi humbur pikë. Kjo nuk duhet të ndodhë më këtë herë, na duhen fitore për të arritur synimin tonë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë