Njerez

Cigaret elektronike të ndaluara po shiten haptazi tek fëmijët shqiptarë

Nga Gazeta Si – Në një nga dyqanet Tabacho në Rrugën e Prizrenit, në Tiranë, është fare e thjeshtë të blihet një cigare elektronike nga një 13-vjeçar (që edhe në dukje është minoren). Madje, vetë shitësja është ajo që i rekomandon shijet e ndryshme dhe i tregon se cilat janë më të preferuarat nga të rinjtë. Një situatë të tillë mund ta hasësh kudo në vendet ku shiten cigaret elektronike, ku mosha që është më e rëndësishmja është e vetmja gjë që nuk i duhet një personi që do të blejë cigare elektronike. Minorenët që konsumojnë cigare elektronike janë shtuar vitet e fundit duke shkaktuar jo pak shqetësim nga prindërit e tyre. Prindër të ndryshëm thonë për Gazetasi.al se cigaret elektronike janë kthyer në problemin e tyre më të madh pasi për to, është e vështirë edhe ti bindin fëmijët se janë të dëmshëm. “E kam djalin 14 vjeç dhe është bindur se cigarja tradicionale është e dëmshme ama nuk bindet për cigaret elektronike (vape). Mendon se unë duhet të jem e lumtur se konsumon cigare elektronike dhe jo cigare tradicionale”, thotë për Gazetasi.al M.Ç, një prind në Rrugën e Durrësit. Fëmijë pranë Gjimnazit Qemal Stafa pranojnë për Gazetasi.al se të paktën një herë në jetën e tyre kanë provuar cigare elektronike sepse kanë shokë që i konsumojnë rregullisht. “Cigare elektronike është, nuk të bën dëm. Njëherë i mora një shokut tim një nga ato që janë me 600 thithje. E ka provuar dhe motra ime 6 vjeçare njëherë. Kishte vetëm shije luleshtrydhe dhe asgjë tjetër”, thotë Ernisi, 15 vjeç.

Ndërkohë, pajisja e cigares elektronike përbëhet nga tre pjesë, si bateria, ampula që përmban lëngun që përdoret dhe pjesa tjetër që kthen lëngun në avull, tek i cili janë gjetur deri në 15 lloje mineralesh toksike, të llojit bakër, plumb, nikel dhe magnez.

Më 13 gusht të vitit 2019, Ministrja e shëndetësisë, Ogerta Manastirliu deklaroi se “Sot hyn në fuqi ligji i ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit. Ndalohet shitja e çdo produkti duhani nën 18-vjeç”, tha ministrja.

Në shtator 2018, Komisioneri i atëhershëm i FDA-së, Scott Gottlieb, po e quante përdorimin e cigareve elektronike nga adoleshentët “një epidemi”.

Kështu, cigare elektronike mund të blihen kudo, pa asnjë problem moshe në Tabacho, kioska dhe supermarkete nëpër Tiranë. I vetmi shqetësim i shitësve është nëse kientit, edhe pse minoren, do i pëlqejë shija…por jo shëndeti.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë