Shendet

Shuperka: Cigaret ‘vape’ shiten pranë gjimnazeve në shkelje të ligjit

Nga Ina Ahmetaj - Eksperti i shëndetit publik dhe një nga hartuesit e ligjit për “Mbrojtjen nga duhani”, e sheh me skepticizëm zbatueshmërinë e ligjit për pirjen e duhanit në ambientet publike në vendin tonë.

Nisur nga parashikimet e OBSH e cila thotë se në 2030 në të gjithë botë do të jenë rreth 1 miliardë duhanpirës, Shuperka thotë se nevojitet zbatimi rigoroz i strategjisë së kontrollit të duhanit.

Sipas tij në fokus të kontrollit  duhet të jetë parandalimi i fillimit të duhanpirjes, reduktimi i konsumit dhe nxitja e lënies së duhanit.

“Këto masa kanë rezultuar në uljen e prevalencës së duhanpirjes gjatë tre dekadave të fundit, por nuk kanë gjasë që të eliminojnë përfundimisht duhanpirjen”, thotë eksperti i shëndetit publik Roland Shuperka.

Sipas tij, ofrimi i alternativës pa tym është një nga masat që i është shtuar strategjive ekzistuese për kontrollin e duhanit. “Por ky produkt është refuzuar nga OBSH dhe nuk nuk duhet sugjeruar dhe për të rinjtë apo personat që nuk e kanë nisur akoma duhanin”.

“Kam konstatuar me shqetësim se në kioskat e vendosura në Tiranë, ka të tilla dhe pranë shkollave e gjimnazeve, vecc produkteve ushqimore shiten dhe paketa duhani dhe cigare elektronike, kur ligji e ndalon tregtimin e duhanit tek personat nën 18 vjeç dhe në ambiente në distancë 200 metra larg. Nëse bëni një vëzhgim do shihni se cigaret elektronike janë në shitje pa asnjë problem”, thotë Shuperka për gazetën “SI”.

Eksperti i çështjes së duhanit thotë se, nëse ligji në fuqi kërkon së pari parandalimin e rritjes së numrit të duhanpirësve, nuk  duhet kurrsesi të tregtohen cigaret elektronike në vende pranë shkollave. Ndërsa për duhanpirësit, rekomandohet që të përdorin cigaret elektronike sesa të vazhdojnë me cigaret tradicionale.

Shuperka thotë se cigaret elektronike janë ende një produkt relativisht i ri - ato nuk janë pa rrezik sepse ende nuk njohim ndikim e tyre afagjatë.

“Ne duhet t’i nxisim njerëzit që nuk pijnë duhan që të mos i provojnë ato, veçanërisht  të rinjtë’, thotë Shuperka.

Debati për cigaret elektronike ka përfshirë dhe Britaninë e Madhe e cila në kundërshtim me rekomandimet e OBSH-së, e konsideron këtë opsion, më të mirin për të lënë duhanpirjen.

“E vetmja mënyrë për të shmangur rrezikun e sëmundjeve të shkaktuara prej duhanit është që të mos konsumosh duhan”-thotë Shuperka.

Produktet vaping (me ngrohje) të nikotinës ishin produktet më popullore (27.2%) të përdorur nga duhanpirësit si ndihmëse për të lënë duhanin në Angli në vitin 2020.

Përllogaritet se në vitin 2017, më shumë se 50,000 duhanpirës lanë duhanin me ndihmën e produkteve vaping , pa të cilët këta duhanpirës do të vazhdonin të pinin duhan.

38% e duhanpiresve në 2020 besuan se vaping është po aq i dëmshëm sa duhanpirja tradicionale. 

15% besuan se vaping është më i dëmshëm.

Studiuesit nga Universiteti i Kalifornisë Jugore (USC) kryen një studim për të hetuar se si shijet e pajisjeve të avullimit ndikojnë në përdorimin e rregullt të cigareve elektronike. Sipas tyre, adoleshentët që pinë cigare elektronike të ëmbla ose me shije frutash kanë më pak gjasa të ndalojnë së piri.

Duhanpirja është ende shkaku kryesor i vdekjeve të parakohshme të parandalueshme dhe sëmundjeve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë