Futboll

Champions/ Sot radha e Bajernit, Reali kundër kampionëve në fuqi të Çelsit

Gazeta si - Mbrëmja e sotme sjell dy sfidat e tjera çerekfinale të Ligës së Kampionëve. Në fushë zbresin kampionët në fuqi të Çelsit, që presin Realin e Madridit në Londër, kurse Bajerni i Mynihut ndeshet me surprizën Vilarreal, që eliminoi Juventusin.

Nga nje ndeshje e meparshme mes Çelsit dhe Realit. Gazeta Si, 6 prill, 2022

Reali i trajnerit Karlo Ançeloti e ka në “xhep” titullin në Spanjë dhe tani synon t’i shkojë deri në fund edhe Ligës së Kampionëve. Pasi eliminuan PSG-në, madrilenët kanë më shumë besim se do të shtojnë një tjetër trofe me veshë të mëdhenj në palmaresin e tyre të pasur.

Isko, Hazard dhe Joviç janë mungesat e spanjollëve për ndeshjen e sotme. Në anën tjetër, Çelsi është i plotë, por kuptohet që situata nuk është ajo më e mira. Pas sanksioneve të qeverisë angleze ndaj Abramoviçit, Çelsi ka dalë në shitje dhe duhet të gjejë një blerës sa më parë. Skuadra në fushë është munduar të bëjë më të mirën, edhe pse nuk është shumë e qetë.

Vilarreal sfidon sot Bajernin. Gazeta Si, 6 prill 2022

Bajerni pati më shumë fat në short, të paktën në letër. Gjermanët ndeshen me Vilarrealin, surprizën e çerekfinaleve dhe që tregoi se mund të bëjë keq, duke eliminuar një skuadër me shumë përvojë europiane, siç është Juventusi. Megjithatë, gjasat janë që aventura në Champions e “nëndetëses” të mbyllet në çerekfinale, sepse Bajerni nuk fal kollaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë