Futboll

Champions/ Liverpuli dhe Mançester Siti duan dy biletat e tjera të gjysmëfinaleve

Gazeta Si - Real Madrid dhe Vilarreal janë dy skuadrat e para gjysmëfinaliste të Ligës së Kampionëve. Katërshja plotësohet sot në mbrëmje dhe pas dy skuadrave spanjolle janë dy angleze që duan të rrëmbejnë dy biletat e mbetura në lojë.

Liverpuli në fakt thuajse e ka në dorë biletën e tij. E ka fituar ndeshjen e parë me Benfikën 1-3 dhe sot në “Anfield” nuk pritet të shpenzojë shumë energji. Djemve të trajnerit Jurgen Klop do t’u mjaftonte edhe një barazim për të kaluar më tej.

Nga ndeshja Mançester Siti-Atletiko Madrid, 1-0. Gazeta Si, 13 prill 2022

Më e hapur është sfida mes Atletiko Madridit dhe Mançester Sitit. Anglezët fituan 1-0 në fushën e tyre dhe pas asaj ndeshjeje pati shumë kritika për strategjinë e trajnerit Simeone, që e bëri skemën e lojës në 5-5-0, duke bërë edhe sulmuesit të mbrojnë.

Në ndeshjen e sotme nuk mjafton vetëm mbrojtja, Atletiko duhet të shënojë patjetër, nëse do që të shkojë në gjysmëfinale, kështu që loja do të jetë më e hapur dhe ‘qytetarët’ mund të përfitojnë për të goditur sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë