Futboll

Champions/ Juventusi me misionin Madrid, përplasje gjigantësh në Paris

Grupet A, B, C dhe D luajnë sot ndeshjet e para në Champions. Një kompeticion që të martën dhuroi jo pak emocione dhe rezultate surprizë, si barazimi i Interit me Sllavian e Pragës, apo humbja e kampionëve në fuqi të Liverpulit. Vëmendja është e gjitha te dy ndeshje, Atletiko Madrid-Juventus dhe PSG-Real Madrid.

Një vit më parë Juventusi e niste Championsin me fitoren në transfertë ndaj Valencias. Ekipi bardhezi iu imponua kundërshtarit dhe pavarësisht ndëshkimit të padrejtë me karton të kuq të Ronaldos, krijoi përshtypjen se në Europë kishte ndryshuar mendësi. U duk se CR7 i kishte dhënë forcën e duhur mentale dhe besimin e duhur ekipit. Një ide që u përforcua edhe me fitoren në “Old Trafford” kundër Mançester Junajtid, por ndaj Atletikos, kundërshtarit të sotëm, Juventusi nuk kishte më atë shpirt. Nuk mjaftoi përmbysja ndaj Atletikos dhe pas eliminimit nga Ajaksi bardhezinjtë ndryshuan rrugë, nga Alegri te Sarri. Një revolucion, që shihet edhe me skepticizëm. Të njëjtat probleme ka edhe Simeone tek Atletiko. Juventusit i duhet më shumë kurajë në Champions dhe sot duhet të përmbushë misionin e fitores.

Nga një ndeshje mes Atletiko Madrid dhe Juventusit. Gazeta Si, 18 shtator 2019

Një sfidë e rëndësishme e mbrëmjes së sotme në Champions është edhe ajo e Parisit, ku vendësit presin Real Madridin. Edhe PSG-ja është nën presionin e suksesit të munguar në Champions, ndërsa Reali nuk është në momentin e tij më të mirë. Bajern Mynih ka një ndeshje të lehtë në letër, pret Crvena Zvezdën, kurse Mançester Siti i Guardiolës luan në Ukrainë me Shkhtarin. Nga futbollistët shqiptarë, sot me shumë mundësi do të shohim në fushë Berat Gjimshtin, i cili pritet të jetë titullar me Atalantën, që debuton në Champions kundër Dinamo Zagrebit në transfertë.

Ndeshjet e sotme
Klub Bryzh-Gallatasaraj
Olimpiakos-Totenhem
Atletiko Madrid-Juventus
B.Leverkusen-Lokomotiv Moskë
B.Mynih-Crvena Zvezda
Dinamo Zagreb-Atalanta
PSG-Real Madrid
Shakhtar Donetsk-M.Siti


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë