Futboll

Çfarë zhgënjimi nga Partizani, e mund Sherifi në shtëpi

Nëse në ndeshjet me Karabakut, pavarësisht eliminimit, Partizani dha shenja loje të mirë dhe arriti të vinte në vështirësi ekipin azer, me Sherifin e Tiraspolit kemi parë një skuadër të shëmtuar. Përballë një kundërshtari që në letër dukej i kalueshëm, Partizani nuk tregoi asgjë nga ai ekip që pamë në sezonin e fundit që u shpall edhe kampion i Superligës.

Repartet ishin shumë të shkëputura nga njëra tjetra dhe miqtë nga Moldavia arritën të ishin shumë të rrezikshëm në disa raste.

Një lojë me dy fytyra dhe një ekip pa një sulm të qëndrueshëm pak shpresa mund të jap se Partizani mund t’ia dalë që të shkojë në raundin e tretë të Ligës së Europës. Goli i Tambe për Sherifin i jep një gur më shumë në avantazh moldavëve që në ndeshjen e radhës në shtëpinë  e tyre do i kenë të gjitha shanset që të kalojnë në raundin tjetër.

Partizani pa Trashin dhe Asanin që pritet të largohet, besohet se do të ketë probleme jo vetëm në Europë, por edhe në kampionatin që po afron dhe tifozët kanë filluar të shqetësohen.  

Formacionet startuese të të dyja ekipeve:

Partizani: Hoxha, Ibrajimi, Bitri, Belica, Hakaj, Broja, Telushin, Mala, Kordeiro, Solomon, Çinari. Trajner: Franko Lerda.

Sherif Tiraspol: Mikuliç, Kristiano, Muzek, N’Djae, Balima, Kendish, Anton, Hordeienko, Latifi, Tambe, Boban. Trajner: Zoran Zekiç


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë