Kombetarja

Çfarë ndodhi në mbledhjen e trajnerëve të Europianit dhe mendimi ndryshe i Silvinjos!

Gazeta Si - Në Dyseldorf të Gjermanisë u zhvillua dje dhe sot “Workshop”-i teknik mes trajnerëve të përfaqësueseve që marrin pjesë në Euro 2024, përfshirë edhe trajnerin kuqezi Silvinjo.

Gazeta Si ka mësuar më tepër se çfarë është diskutuar në këtë takim, që drejtohej nga Xhorxho Marketi, zv.sekretari i përgjithshëm i UEFA-s, dhe Roberto Roseti, shefi i arbitrave të UEFA-s.

Spaleti, Silvinjo, Daliç dhe De la Fuente gjate shortit te Europianit. Gazeta Si, 9 prill 2024

Pas komunikimit që u është bërë trajnerëve për sjelljen që duhet të kenë gjatë Europianit, kryesisht sa u përket rregullave të lojës dhe komunikimit me gjyqtarët, u është dhënë fjala atyre që kanë pasur “ankesa” për listën me 23 lojtarë. Disa trajnerë kishin kërkuar që në listë të jenë 26 lojtarë, si në Europianin e shkuar (për shkak të pandemisë Covid 19) dhe në Botërorin e Katarit (zhvillohej në një periudhë të pazakontë, në dhjetor, në mes të kampionateve dhe problemi i dëmtimeve ishte më i madh).

Kërkesa për të shtuar numrin e lojtarëve në listë këtë herë ka ardhur nga Geret Southgejt, trajneri i Anglisë, Ronald Kuman i Holandës dhe Didier Deshamp i Francës. Ishin pikërisht këta emra që folën edhe në këtë takim me drejtuesit e UEFA-s.

Trajneri i përfaqësueses shqiptare nuk ka qenë dakord për zgjerimin e listës dhe këtë qëndrim ai e ka shpjeguar në këtë mënyrë: “Nëse nuk ka lëndime, puna me 26 sportistë më duket e tepërt. Për mua, mundësia për të zëvendësuar një lojtar të dëmtuar do të ishte zgjidhja më e mirë. Për momentin mund të ndërrojmë një sportist në rast dëmtimi dhe kuptoj që deri në tre sportistë mund të zëvendësohen në rast dëmtimi deri ditën e debutimit në garë. Nuk është e lehtë të zgjidhet, sepse çdo trajner ka nevoja të ndryshme”.

Në mbledhjen me trajnerët e tjerë ai nuk ka folur, duke i qëndruar mendimit të tij. Dhe me gjasë, nga burimet e pranishme në këtë mbledhje, nuk do të ketë një zgjerim të listës nga 23 në 26 lojtarë. Pak trajnerë kanë qenë pro dhe e kanë kërkuar një gjë të tillë, edhe pse bëhet fjalë për trajnerët e skuadrave ndoshta pretendente kryesore, por emri i tyre pak rëndësi ka nëse janë pakicë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë